
Ja si u kap Maduro: Hyrja me forcë në dhomën e gjumit, hapat drejt bunkerit, bashkëshortja e palëvizur në shtrat! Forcave Delta iu deshën vetëm 46 sekonda
Operacioni “Maduro out” ka nisur verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente “aksione të fshehta” në Venezuelë. Konkretisht, të spiunonte lëvizjet e liderit, të studionte bazat e tij të mbështetjes dhe rrjetin e mbrojtjes.
Agjentët e CIA-s lëviznin në heshtje, duke kombinuar metodat klasike të infiltrimit me teknologjitë më të avancuara, si dronët.
Është e besueshme, edhe pse Donald Trump nuk e përmendi dje në konferencën e gjatë për shtyp nga Mar-a-Lago, që në të njëjtën kohë shërbimet sekrete amerikane të kenë kërkuar edhe ndonjë mbështetje brenda aparatit ushtarak vendas. Sado efikas të ketë qenë blitz-i amerikan, është e pashmangshme të imagjinohet se dikush ka lehtësuar gjërat, në një vend të mbytur prej vitesh nga kontrolle në kufijtë e paranojës.
Në muajt e fundit, në një korsi paralele, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, negocionte nën dorë me Maduron dhe sondonte figurat më të spikatura të regjimit. Vetë Rubio konfirmoi dje se i kishte ofruar “më shumë se një herë” një “rrugëdalje” autokratit të Karakasit. Cila? Askush nuk e shpjegoi. A ishte administrata Trump e gatshme t’i ofronte diktatorit sudamerikan një salvokondukt, duke e shpëtuar nga gjyqi në Shtetet e Bashkuara? Kjo mbetet një nga zonat e errëta të kësaj ngjarjeje.
Në çdo rast, Uashingtoni ka vepruar në dy nivele: nga njëra anë me një rrjet spiunazhi të endur nga CIA dhe FBI; nga ana tjetër me një qasje politike.
Pasi dështoi negociata, ekipi politik, i përbërë nga Rubio, sekretari i Luftës Pete Hegseth dhe këshilltari për Sigurinë e Brendshme Stephen Miller, planifikoi inkursionin, natyrisht së bashku me gjeneralët e koordinuar nga shefi i shtabit të forcave të armatosura, Dan Caine. Trump e kishte miratuar planin katër ditë më parë, menjëherë pas Krishtlindjeve, por kushtet e këqija të motit këshilluan të pritej momenti i duhur.
Ora X nis kur në Uashington është ora 22:46 e së premtes, 2 janar (në Shqipëri 04:46 e së shtunës, 3 janar). Mobilizimi përfshin reparte të marinsave, të aviacionit dhe, sidomos, skuadrone speciale antiterrorizmi të Delta Force. Ngrihen mbi 150 avionë nga 20 baza të shpërndara jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe nga aeroplanmbajtëse.
Dislokimi është mbresëlënës, një lloj ekspozite e fuqisë amerikane: nga F-35 te bombarduesit B-1, përveç dronëve dhe helikopterëve. Për Trumpin, ky është “aksioni më i madh që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”.
Informacionet satelitore dhe njësitë e inteligjencës të fshehura në Karakas udhëheqin afrimin e formacionit ajror. Është thellë natë kur avionët bombardojnë të paktën katër objektiva në kryeqytet dhe rrethina: portin La Guaira, aeroportin Higuerote, pozicionet e La Carlota dhe, më në fund, objektivin e vërtetë – kompleksin ushtarak të super-ruajtur Fuerte Tiuna, ku Maduro fle me bashkëshorten Cilia Flores.
Për amerikanët është thelbësore të ruhet faktori i befasisë: një gabim i vetëm dhe rrezikohet dështimi. Gjenerali Caine shpjegoi se ishin studiuar të gjitha detajet për të “minimizuar” dëmet ndaj civilëve. Për momentin nuk është ende e qartë nëse ka pasur viktima. Trump e përjashtoi këtë për sa u përket amerikanëve: “Nuk kemi humbur asnjë ushtar dhe asnjë mjet.”
Dronët dhe bombarduesit nxjerrin jashtë funksioni bateritë e kundërajrorëve, “duke hapur rrugën”, siç tha Caine, për helikopterët Apache me njësitë e Delta Force në bord. Në orën 02:01, sipas orës së Karakasit (01:00 në Uashington dhe 07:00 në Itali), inkursorët hyjnë në perimetrin e kompleksit të Fuerte Tiuna. Shkëpusin energjinë elektrike, kapërcejnë barrierat e mbrojtjes dhe depërtojnë brenda.
Trump komentoi para kamerave se përplasjet kanë qenë të dhunshme. Megjithatë, për momentin nuk dihet nëse ushtarët venezuelianë të rojës janë vrarë.
Çifti presidencial pushon në katin përdhes. Brenda 46 sekondash, sipas versionit të Trumpit, Delta Force hyn me forcë në dhomën e gjumit. Maduro ka vetëm kohë të çohet dhe të përpiqet të strehohet në një ambient ngjitur, një lloj bunkeri me derë çeliku. Por bën pak hapa, kthehet nga bashkëshortja e palëvizur në shtrat dhe bllokohet. Është tashmë me pranga.
Janë agjentët e FBI-së që i komunikojnë urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, sepse, siç vuri në dukje Rubio, ky nuk është “një akt lufte”, por “zbatimi i një urdhri të dhënë nga gjykatësit amerikanë”.
Misioni është pothuajse i përfunduar, por mbetet ndoshta faza më delikate: nxjerrja e shpejtë e dy të arrestuarve, ngarkimi i tyre në helikopterë dhe dalja nga hapësira ajrore e Venezuelës. Në det, përballë bregut, pret një njësi e marinës ushtarake amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Iwo Jima.
Në orën 04:29 lokale (03:29 në Uashington dhe 09:29 në Itali), Apache-t ulen në kuvertën e anijes së madhe.
Avionët e eskortës kthehen në baza, flota drejtohet nga brigjet e Shteteve të Bashkuara. Trump poston foton e “Maduro-s me zinxhirë”, një Vercingetorix modern, por me tuta gri dhe fytyrën gjysmë të fshehur pas syzeve të mëdha të diellit.











