800 pasagjerë të tragetit Vlorë-Brindisi, 6 orë mes dallgëve

Mbi 800 pasagjerë që gjenden në tragetin e linjës së Vlorë – Brindisi janë duke përjetuar momente të vështira. Ata u nisën rreth orës 16.00 të së hënës, por po mbahen ende brenda gjirit të Vlorës për shkak të motit të keq.
Burime nga pasagjerët thanë se ata po mbahen prej 6 orësh në mes të detit, mes dallgëve të larta.
Pasagjerët thonë se veç orëve të gjata të pritjes, janë në kushte jo të mira, për shkak të dallgëve. Pjesa më e madhe e tyre kanë të vjella dhe dhimbje koke. Edhe pse kushtet e motit ishin lajmëruar se do ishin të pafavorshme, sërish trageti u nis.
Nuk dihet se kur trageti do niset drejt Italisë. Disa thonë se pas mesnatës, pritet përmirësim i kushteve të motit dhe atëherë mund të fillojë udhëtimi.









