Trumçi në minutën e 50 vendos ndeshjen në favor të Bylis dhe fut në telashe të mëdha Lacin dhe teknikun e saj Vukicevic.
Malazezi në aventurën e dytë në Kurbin, përsërit pothuaj të njëjtat rezultate që e cuar drejt shkarkimit në javën e 5 të edicionit të kaluar: atëherë ishin tre humbje e dy barazime, ndërsa tani janë një fitore e tre humbje radhazi në katër javët e para të kampionatit. Kushedi nëse presidenti Laska nuk do të ketë durim të presë edhe javën e pestë për t’i treguar rrugën e daljes një trajneri që dy sezone radhazi ka dështuar të cojë drejt suksesit një skuadër të menduar për të luftuar të paktën për Europën.
Këtë herë edhe me Borysiuk e Babatunde nga minuta e parë, Laci dështoi të fitonte në shtëpi kundër skuadrës së ardhur nga Kategoria e Parë. Sikur të mos mjaftonte humbje me Egnatian, një tjetër skuadër që sezonin e kaluar shpëtoi me vështirësi, tani vjen një goditje që e mban me tre pikë Lacin, në kuotë të barabartë pikësh me Teutën dhe vetëm mbi Kukësin. Kurbinasit rastin më të mirë për të kaluar në avantazh në pjesën e parë e kishin në të 17’ kur harkimi nga e djathta devijohet nga Prenga për Adeleken, që në shtyllën e dytë nuk e dërgon dot në rrjetë. Ballshiotët i besuan shumë goditjeve standarde nga ku Damcevski e Kacorri patën mundësitë e tyre.
Pastaj në pjesën e dytë vendosi një gol spektakolar i kapitenit të Bylisit, Aleksander Trumçi, që i ka mjaftuar skuadrës ballshiote për të marrë tre pikët në transfertën e Laçit duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë në klasifikim. Ekipi i Arjan Bellajt është treguar cinik kur duhej duke marrë një fitore, që lë pas zhgënjimin e humbjes së parë sezonale me Partizanin.