Eksportet kanë përshpejtuar sërish rritjen në muajin gusht. Ato janë ndihmuar kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, sidomos për naftën.
Sipas INSTAT, në gusht 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë. Kjo është një rritje me 48,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku efektin kryesor e dha nafta dhe materialet e ndërtimit e metalet.
Për 8 mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u rritur me 41,0 %, të ndikuara nga ndërtimi, metale, mineralet, lëndë djegëse, energji dhe tekstile dhe këpucë.
Në pjesën më të madhe, sidomos për lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit dhe metalet, tendenca është ndikuar në pjesën më të madhe nga shtrenjtimi i çmimeve
Sipas INSTAT, gjatë muajit gusht 2022, në rritjen e eksporteve prej 48,1 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +19,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +5,6 pikë përqindje
Për 8 mujorin, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +12,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,0 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,7 pikë përqindje.
Fasoni ka punë, por nuk ka punonjës
Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore. Sipas INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 22% me bazë vjetore për 8 mujorin.
Sektori e ka marrë veten pasi në dy vitet e pandemisë u godit më shumë nga rënia e kërkesës për shkak të karantinave të vazhdueshme. Por, eksportuesit ngrenë shqetësimin se ata nuk arrijnë të përballojnë rritjen e kërkesës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Edvin Premçe nga Shoqata e Eksportuesve pohon se ka rritje dhe mendon qe ky trend do jetë në rritje, për tu ndalur më pas në varësi të kostove globale të karburantit, energjisë e ecurisë së luftës në Ukrainë. Ai thotë se ka një rritje për mbushje magazinash nga porositësit por jo se kanë rritje edhe ato në shitje. Sipas tij, frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë nje ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.
Materialet e ndërtimit dhe metale, eksportet rriten por Kurum ka ndërprerë prodhimin
Materialet ndërtimit dhe metalet kanë pësuar rritje të ndjeshme të eksporteve me rreth 61% në 7-mujor, ndonëse në qershor, korrik e gusht edhe ky grup u ngadalësua. Përfaqësues të sektorit bënë më dije se rritje po udhëhiqet nga çmimet e larta, por kjo nga ana tjetër po ndikon në frenimin e kërkesës. Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Kompania ka vijuar me eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok, ndërsa efekti pritet që të ndihet në shtator.
Bankers Petroleum dyfishon shitjet në vlerë, por jo në sasi
“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” u rritën me 62% për 8 mujorin, ndërsa në korrik eksportet e këtij grupi u dyfishuan.
Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se në vlerë eksportet janë pothuajse dyfishuar në gusht, duke arritur në 22.8 milionë dollarë, nga 14.5 milionë dollarë në gusht 2021.
Por, në sasi nuk ka pasur ndonjë rritje, por diferenca ëhstë shkaktuar nga shtrenjtimi i çmimeve si dhe sigurimi i një kontrate të mirë në tregun spanjoll, me një zbritje më të vogël ndaj treguesit referencë ndërkombëtar Brent (nafta e Ballshit është e rëndë dhe si rrjedhojë shitet me zbritje ndaj Brent).
Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë në korrik
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 16% për 8 mujorin, nga 20% në 5-mujor. Kjo ishte rritja më e ulët në krahasim me grupet e tjera të eksporteve.
Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera.
Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.
Megjithatë në gusht, ritmet e rritjes u përshpejtuan, në 15%, nga 2.4% në korrik.
Makineritë e pajisjet në rritje pas shtimit të numrit të fabrikave
Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke u zgjerua me 43.6% për gushtin dhe 37% për 8 mujorin. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet. Por edhe ky sektor po vuan mungesën e fuqisë punëtore.
Thellohet deficiti tregtar
Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u rritur me 41,0 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 607 mld lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 280 mld lekë, duke u rritur me 10,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Rriten eksportet me Italinë dhe Spanjën (pas kontratës së Bankers)
Sipas INSTAT, Në muajin Gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2021 janë: Itali (29,0 %), Spanja (411,2 %) dhe Gjermani (43,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (9,2 %), Maqedonia (5,9 %) dhe Kina (86,8 %).
Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (49,1 %), Kosova (6,0 %) dhe Gjermania (75,0 %) . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (17,7 %) .
Në muajin Gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2021 janë: Turqia (29,7 %) Greqia (133,2 %) dhe Kina (46,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (7,0 %), Gjermania (19,4 %) dhe Austria (8,2 %).
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,8 %), Turqia (34,6 %) dhe Greqia (33,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (16,2 %), Rusia (18,1 %) dhe Zvicra (13,7 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 53,3 %, të gjithë tregtisë. Në Gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 66,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 47,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (18,7 %), Greqia (9,5 %), Turqia (8,9 %) dhe Kina (6,2 %).
Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59,7 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,8 %), Turqia (8,1 %), Greqia (7,1 %) dhe Gjermania (6,3 %) ./ Monitor