Policia e Shtetit
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e sotme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, që bënte fjalë për një shtetas që ankohej se është keqtrajtuar nga efektivë të Komisariatit të Policisë Lushnjë, ju informojmë se:
Në lidhje me këtë rast, në datën 7 shtator 2022, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë i kanë marrë deklarim shtetasit që shfaqet në pamjet filmike. Gjithashtu, në kuadër të deklarimit të personit, janë kryer të gjitha veprimet procedurale për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira në këtë çështje. Shtetasit janë proceduar penalisht dhe ndiqen në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Të gjitha veprimet e para procedurale janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Përsa i përket komunikimit të shefit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë me qytetarin nga Durrësi, që ka denoncuar rastin, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. K., me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë, deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë, me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguron qytetarët se është i vendosur për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën, sjelje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë dhe në këtë kuadër inkurajon qytetarët dhe median që të denoncojnë çdo rast, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe si e tillë duhet të jetë garante e zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.