Kryetari i Partisë së Lirisë u premtoi të rinjve gjysmën e vendeve në këshillin bashkiak të Tiranës, që do të dalë nga zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Meta tha se Tirana do të jetë bashkia kryesore që opozita do të synojë të fitojë.
“Tirana do jetë sheshbeteja kryesore. Sepse nëse nuk fillon ndryshimi nga Tirana, nga do të fillojë? Nuk dua të nënvlerësojë rajonet e tjera të Shqipërisë”, tha Meta.
“Ka bashki në Shqipëri ku ka më shumë mësues sesa nxënës dhe i mbajnë thjesht për vende pune ose u vjen keq t’i heqin nga puna. Të rinjtë do të kenë zërin e tyre të fuqishëm në këshillat bashkiakë”.
“Të paktën gjysma e kandidatëve të këshillat bashkiakë të Tiranës do të jenë përfaqësues të të rinjve dhe të rejave”.
Në fjalën e tij, Meta u shpreh se është koha për të bërë gjithçka për të mbajtur të rinjtë e të rejat këtu e për të rikthyer ata që ikën nga mungesa e shpresës.
“Jemi në prag të Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë, që do të zhvillohet më 29 tetor e do të miratojë programin themelor, statutin e saj, do të përcaktojë qëndrimet strategjike, angazhimin për referendumin si rruga e vetme për t’i kthyer fuqinë qytetarëve e për të garantuar llogaridhënien e rrëzuar përtokë në këtë vend e këtë shtet dhe mbi të gjitha për t’ia hequr Shqipërinë të fortëve e oligarkëve e për ti’a kthyer të rinjve”.