Republikanët siguruan të mërkurën numrin e mjaftueshëm të vendeve për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Kështu kanë përgatitur terrenin për dy vjet qeverisjeje të ndarë. Kjo pasi në kushtet Partia Demokrate e presidentit Joe Biden ruajti kontrollin e Senatit.
Fitorja u jep republikanëve mundësinë që të frenojnë programin e Biden. Po ashtu ka mundësi të hapin hetime që mund të jenë të dëmshme politikisht për administratën dhe familjen e Biden. Kjo fitore është shumë larg nga “vala e kuqe” që partia kishte shpresuar.
Parashikimi përfundimtar për fitoren e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas më shumë se një jave numërimi votash, kur organizata Edison Research arriti në përfundimin se republikanët kanë fituar 218 vendet që u duheshin për të kontrolluar Dhomën.
Fitorja e republikanëve në distriktin e 27-të të Kongresit në Kaliforni i dha epërsinë partisë.
Udhëheqësi aktual i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, mund të ketë përballet me një rrugë të vështirë, pasi do t’i duhet ta mbajë grupin e tij të bashkuar për votime kritike përfshirë buxhetin e qeverisë dhe ushtrisë në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump ka shpallur kandidaturën për të marrë edhe një herë Shtëpinë e Bardhë.
Edhe pse “vala e kuqe” në Dhomën e Përfaqësuesve që republikanët prisnin nuk arriti të materializohej, konservatorët po i qëndrojnë programit të tyre.
Ata po përgatiten të ndërmarrin hetime për zyrtarë të administratës së presidentit Biden si edhe për djalin e presidentit, Hunter për marrëdhëniet e tij të biznesit me Kinën dhe vende të tjera, madje edhe për vetë zotin Biden.
ÇËSHTJET E INFLACIONIT DHE ABORTIT
Shtetet e Bashkuara i rikthehen një pushteti të ndarë në Uashington pasi votuesit u ndanë në kahje të kundërta. Ata u motivuan nga dy çështje kryesore gjatë fushatës për zgjedhjet e mesit të mandatit.
Inflacioni i lartë u dha republikanëve material për të sulmuar liberalët. Këta të fundit miratuan triliona dollarë në shpenzime të reja gjatë pandemisë COVID-19. Rritja e kostos për ushqimet, karburantin dhe strehimit, bëri që votuesit të ishin të pakënaqur me demokratët.
Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës së Lartë në qershor që i dha fund mbrojtjes federale për të drejtën e abortit, motivoi një pjesë të madhe votuesish, duke forcuar pozitat e kandidatëve demokratë.
Gati një e treta e votuesve thanë pasi votuan se inflacioni ishte në krye të shqetësimeve të tyre. Për një të katërtën e votuesve, aborti ishte shqetësimi kryesor dhe 61% kundërshtuan vendimin e gjykatës së lartë për këtë çështje.
Zgjedhjet e mesit të mandatit u mbajtën nën hijen e garës presidenciale të vitit 2024-ës.
Ish-presidenti Trump, vazhdon të jetë kandidati i preferuar i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të partisë. Megjithatë kandidatët e ekstremit të djathtë që ai mbështeti patën rezultate të dobëta më 8 nëntor.
Ndërkohë, Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis – që shihet si një nga rivalët më të fortë të mundshëm për zotin Trump në vitin 2024 – fitoi një mandat të dytë. Ai mundi lehtësisht kundërshtarin demokrat Charlie Crist, me gati 20% epërsi.
Zgjedhjet e vitit 2024 do të ndikojnë menjëherë në shumë nga vendimet legjislative që ndjekin republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve. Tani Dhomës së Përfaqësuesve i duhet të zgjedhë kryetarin për dy vitet e ardhshme. Udhëheqësi i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy fitoi të martën mbështetjen e shumicës parlamentare për të kandiduar për pozicionin e fuqishëm që do të pasonte kryetaren aktuale, demokraten Nancy Pelosi./VOA