Nga 3500 në më pak se 1000 banorë, Marinzës po i braktisen tokat dhe po i shuhet bujqësia

Rroskovec – Marinza në Fier po përballet me një realitet gjithnjë e më shqetësues, atë të braktisjes së tokave bujqësore dhe shpopullimit.
Prej disa vitesh, fermerët po heqin dorë gradualisht nga kultivimi i tokës, duke zgjedhur ta japin atë me qira, ta lënë djerrë apo ta kthejnë në ullishte. Dikur një nga zonat me aktivitet të rëndësishëm bujqësor, sot fshati po përballet me tkurrjen e sipërfaqeve të mbjella me drithëra dhe me largimin e banorëve.
amjet e tokave të lëna djerrë dhe të parcelave që po kthehen në ullishte dëshmojnë ndryshimin që po pëson bujqësia në këtë zonë. Toka që dikur punohej dhe mbillej sezon pas sezoni, në shumë raste nuk shfrytëzohet më për prodhim bujqësor. Fermerët që prej vitesh janë marrë me kultivimin e drithërave po e shohin gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.
Në bisedat me banorët, ata rendisin disa arsye që, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë. Rritja e kostove të jetesës dhe veçanërisht e shpenzimeve për punimin e tokës, çmimi i lartë i naftës, shtrenjtimi i pesticideve dhe produkteve të tjera bujqësore janë kthyer në një barrë të rëndë për fermerët.
Një tjetër shqetësim që ngrenë banorët lidhet me cilësinë e pesticideve që përdorin në kulturat bujqësore, të cilën ata e konsiderojnë të dobët. Sipas tyre, edhe kur investojnë për të mbjellë dhe për të mbrojtur prodhimin, rezultatet nuk janë gjithmonë ato që presin. Në këto kushte, fitimi bëhet gjithnjë e më i pasigurt, ndërsa rreziku për të dalë me humbje rritet.
Fermerët shprehen gjithashtu të pakënaqur me mungesën e mbështetjes financiare dhe subvencioneve nga qeveria. Ata thonë se pa një mbështetje konkrete për naftën, farërat, pesticidet dhe kostot e tjera të prodhimit, bujqësia po humbet gradualisht interesin ekonomik. Për shumë prej tyre, dhënia e tokës me qira apo lënia e saj djerrë është kthyer në një alternativë për të shmangur shpenzimet që nuk arrijnë t’i rikuperojnë.
Por përtej vështirësive në bujqësi, Marinza po përballet edhe me një tjetër problem të madh: shpopullimin.




Banorët tregojnë se dikur fshati kishte rreth 3500 banorë, ndërsa sot, sipas tyre, numri i popullsisë nuk arrin as në 1000. Një rënie e ndjeshme, që ata e lidhin me largimin e të rinjve, mungesën e mundësive ekonomike dhe vështirësitë për të siguruar të ardhura të qëndrueshme në vendlindje.
Largimi i banorëve dhe braktisja e tokave janë dy fenomene që duket se ushqejnë njëri-tjetrin. Me më pak njerëz që merren me bujqësi, gjithnjë e më shumë sipërfaqe mbeten pa u punuar, ndërsa mungesa e të ardhurave nga toka i shtyn familjet të kërkojnë mundësi jetese në zona të tjera.
Sot, në Marinzë, ndryshimi është i dukshëm: parcela të pambjella, toka të dhëna me qira dhe sipërfaqe që po kthehen në ullishte, ndërsa numri i banorëve është tkurrur ndjeshëm krahasuar me vite më parë.
Për banorët, kjo nuk është thjesht një çështje e prodhimit bujqësor, por një problem që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e fshatit. Ata kërkojnë më shumë mbështetje për fermerët dhe politika konkrete që ta bëjnë sërish të leverdishëm punimin e tokës.









Marinza, një fshat që dikur numëronte mijëra banorë dhe kishte aktivitet të zhvilluar bujqësor, sot po përballet me rrezikun e humbjes graduale të këtij aktiviteti. Dhe nëse kushtet nuk ndryshojnë, toka e papunuar dhe shtëpitë gjithnjë e më të boshatisura mund të bëhen pamja e zakonshme e këtij fshati të Fierit. ALB365/Xhemil Beharaj












