Monday, November 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETSekuestrohen pasuritë e ish-drejtorit të Tatimeve në Vlorë

Sekuestrohen pasuritë e ish-drejtorit të Tatimeve në Vlorë

Prokuroria ka sekuestruar pasuritë e ish-drejtorit të Tatimeve në Vlorë, Edison Frakulla.

Frakulla ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të “Korruspionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Më konkretisht theksohet se janë sekuestruar dy apartamente në Tiranë dhe një sipërfaqe toke are në Vlorë. Nga njoftimi i Prokurorisë bëhet me dije se për pasuritë që zotërohen nga Frakulla ka prova konkrete se janë të pajustifikuara.

Njoftimi:

Në datë 01/12/2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në Ligjin me nr.10192 datë 03/12/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” i ndryshuar, ka regjistruar procedimin pasuror me nr.01, në ngarkim të shtetasit E. F.

Ky procedim pasuror, është regjistruar mbi bazën e referimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë si dhe pas administrimit të akteve të procedimit penal me nr.509 të vitit 2019.

Rezulton se shtetasi E.F., është arrestuar nga policia e Vlorës në datë 03/06/2006, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Me vendimin penal me nr.380 datë 08.11.2006 të Gjykatës Shkallës së Parë Vlorë, është deklaruar fajtor për veprën penale të “Korruspionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal dhe është dënuar me 16 muaj burgim dhe 1 milion lekë gjobë.

Ky vendim ka marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar.

Në përfundim të verifikimeve të kryera si dhe pas administrimit të akteve të procedimit penal me nr.509 të vitit 2019 (regjistruar për nenin 287 të Kodit Penal), ka rezultuar se shtetasi E.F., ka në pronësi dhe disponon pasuri që nuk justifikohen nga të ardhurat e ligjshme të realizuara ndër vite.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit E. F. dhe familjarëve të tij, rezulton e provuar se:

Së pari, pasuritë e evidentuara janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi jo vetëm ekziston dyshimi i arsyeshëm por është e provuar se shtetasi E. F., ka qënë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike″, parashikuar nga neni 259 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar pas përfshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme.

Së dyti, pasuritë e evidentuara, zotërohen nga shtetasi i sipërpërmendur si subjekt i ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme, në vlerën dhe masën e përcaktuar në aktin e ekspertimit kontabël të kryer.(-13,960,441 lekë).

Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar se lidhur me pasuritë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.

Në funksion të këtij procedimi pasuror, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, sekuestrimi i pasurive, si më poshtë:

Pasuria nr.6/1 ZK 1012 Aliban Vlorë, vol 1 faqe 98 llojit tokë Arë me sip 2900 m2, blerë nga shtetasi E. F., shtetasit Dh.Q., etj, sipas kontratës nr 952 rep 436 kol datë 08.04.2015, për vlerën e 800.000 Lekë.

Pasuria nr 109/239+2-6, vol 46 fq 14, ZK 3292 Tiranë, e llojit apartament me sip 49.30 m2 dhe verandë me sip 21.8 m2, blerë sipas kontratës nr.615 rep 182 kol, datë 22.02.2019, për vlerën e 49,690 Euro, regjistruar në emër të E. F.

Pasuria nr 109/239+2-5, vol 46 fq 13, ZK 3292 Tiranë, e llojit apartament me sip 81 m2, blerë sipas kontratës nr.615 rep 182 kol datë 22.02.2019, për vlerën e 56,710 Euro, regjistruar në emër të E. F.

Me vendimin me nr.524 datë 02/12/2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pranuar kërkesën dhe ka vendosur masën e sekuestros mbi pasuritë e mësipërme, bazuar në ligjin me nr.10192 datë 03/12/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar.

Lidhur me zbatimin e vendimit të mësipërm është nxjerrë urdhri i ekzekutimit i cili është zbatuar nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore duke u vendosur pranë regjistrave kadastralë në ASHK lidhur me pasuritë e mësipërme.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME