Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeMODËLIFESTYLE“Argëtim” me kolegët/ Si kompanitë e mëdha po motivojnë punonjësit

“Argëtim” me kolegët/ Si kompanitë e mëdha po motivojnë punonjësit

Drejtuesit e kompanive mund të përmirësojnë produktivitetin, duke investuar në një aktivitet të quajtur “retreat”. Është një koncept kaq i ri për Shqipërinë, sa edhe një fjalë e mirëfilltë shqip nuk ekziston. Nga aktivitetet rekreative, sporti, e deri tek udhëtimet jashtë, cilat janë organizimet që kompanitë shqiptare ofrojnë për punonjësit e tyre?

Në vitin 2016, rastësisht lexova një artikull që shkruante: “Përfitimet më të mira të të punuarit në Google”. Në to renditeshin ambientet krijuese, për të pushuar, për të ngrënë, lehtësi si palestra 24 orë, masazhe etj., ndër të cilat, edhe një koncept “staff retrat” që bëhej periodikisht, me qëllimin për të mbajtur stafin produktiv, të çlodhur dhe të lidhur me njëri-tjetrin.

Sot, 6 vite më vonë, mund të numërojmë me gishtat e duarve kompanitë shqiptare që janë prirë të sjellin një kulturë të tillë pune në vendin tonë.

“Retreat” është një trend në rritje, por ende koncept i ri për kulturën shqiptare të punës, aq i ri sa ende një fjalë të përshtatshme në shqip nuk ka.

Teksa po përballemi me nivele emigracioni kryesisht të të rinjve, si asnjëherë më parë, çfarë roli luan pikërisht kjo “tërheqje” e stafit apo edhe forma të tjera, për të investuar në burime njerëzore, kaq thelbësore për një kompani?

Specialistët pohojnë se, pavarësisht nëse drejtoni një kompani me 5 apo 500 vetë, ndryshimi i ritmit me një “tërheqje” do të rienergjizojë ekipin tuaj, do të nxisë bashkëpunimin ndër departamente të ndryshme dhe do të forcojë lidhjet e brendshme.

Një tërheqje e korporatës është një mënyrë interesante dhe e larmishme për të bashkuar anëtarët e ekipit në një organizatë. Një mënyrë për të afruar ekipet dhe për të ndërtuar një kulturë të fortë brenda një organizate. Hulumtimet tregojnë se ekipet e përfshira në tërheqjet e korporatave jo vetëm që raportojnë përputhshmëri më të madhe, shoqëri, por edhe komunikim shumë të përmirësuar dhe më të lehtë, si dhe produktivitet të përmirësuar pas tërheqjes.

“Tërheqjet” kanë qenë vitet e fundit pjesë e jetës së kompanive në vend, por tani po u drejtohen atyre më fuqishëm, për të krijuar lidhje mes punonjësve në një botë pas COVID. Madje, kur shumë kompani përqafuan prej më shumë se dy vitesh Zoom si “takimin” e vetëm dhe punën në distancë, tërheqjet u sugjeruan si një mënyrë për të nxitur kulturën e korporatës kur njerëzit nuk e shohin njëri-tjetrin rregullisht.

Siç ka treguar përvoja e mëparshme, stimujt financiarë nuk janë domosdoshmërisht mënyra më e mirë dhe sigurisht, jo e vetmja për të përmirësuar “moralin” e ekipit tuaj. Prandaj, kompanitë po nisin të bëhen krijuese. Meditim, joga, palestër, darka e udhëtime jashtë, dhe shumë aktivitete të tjera të mirëqenies janë rritur vitet e fundit.

Enklida Çibuku, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në “Union Bank”, thotë për “Monitor”, se prej vitesh i është kushtuar rëndësi organizimit të “retreat”-eve dhe aktiviteteve “team-building”.

“Qëllimi është të mundësohet kalimi i kohës me kolegët jashtë rutinës së përditshme të punës, për t’u informuar dhe për të diskutuar tema të ndryshme, por kryesorja për të kaluar kohë të këndshme me kolegët, për t’u njohur më mirë edhe në nivel personal, për të përmirësuar bashkëpunimin, etj.

Organizimet janë kryesisht një ose dyditore dhe përfshijnë një kombinim të një takimi të shkurtër, si dhe të aktiviteteve ‘team-building’, me lojëra në sallë ose në ambiente të hapura, të cilat nxisin frymën e bashkëpunimit, avantazhet e punës në skuadër etj. Aktivitetet synohet të zhvillohen në natyrë, ose në bregdet, duke synuar çlodhjen dhe kënaqësinë e stafit pjesëmarrës. Përveç këtyre organizimeve, promovojmë edhe disa më të thjeshta si dreka apo darka me kolegët në degë apo në departament, ‘happyhours’ etj.”-thotë znj. Çibuku.

Union Financiar Tiranë e konsideron kapitalin njerëzor një ndër faktorët kryesorë në arritjet e biznesit. Kështu e nis fjalën e tij Elton Çollaku, administrator i UFT, duke vendosur në vëmendje se, ndërtimi i një skuadre të fortë, që të përballojë sfidat e problematikat e përditshme, është pikërisht fokusi i tyre i vazhdueshëm.

“Është i rëndësishëm raporti që punonjësit tanë kanë si me drejtuesit, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Për të qenë realistë, ngarkesa e afateve e proceseve të përditshme të punës që gjithsecilit nga ne i duhet të çojë përpara, shpesh nuk e bën të mundur zhvillimin e marrëdhënieve të shëndetshme njerëzore mes kolegësh. Prej më se 27 vitesh, UFT është kujdesur që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme me stafin të krijojë një frymë më miqësore, që rrjedhimisht sjell edhe më shumë energji pozitive në kompani.

UFT ka organizuar tipe të ndryshme aktivitetesh gjatë viteve, si workshop-e, trajnime, aktivitete argëtuese. Kohët e fundit, duke qenë se edhe dolëm nga periudha me kufizime e pandemisë, jemi fokusuar më shumë tek aktivitetet argëtuese, si: udhëtime turistike 2-3-ditore, aktivitete në natyrë, mbrëmje festive, etj. Shpeshherë në këto aktivitete na janë bashkuar edhe kompani të tjera të grupit, gjë që na shton gjallërinë dhe mundësitë e vendosjes së marrëdhënieve edhe në nivel grupi”, – thotë z. Çollaku.

“Staff retreats” dhe aktivitete “team-building” jashtë zyrës, sipas drejtuesit të Burimeve Njerëzore të Grupit BALFIN, janë tradita të përvitshme.

“Një traditë që ne e konsiderojmë themel të kulturës sonë të brendshme dhe ndoshta një ndër dëshmitë më të forta të ndikimit të aktiviteteve ‘team-building’ në mirëqenien e punonjësve dhe produktivitetin në punë, është Kampionati i Volejbollit të Grupit BALFIN, i cili vitin që vjen shënon përvjetorin e 10-të. Ky kampionat, tejet serioz në organizim dhe pjesëmarrje, angazhon në dhjetëra ekipe, rreth 200 punonjës të Grupit, burra dhe gra, nga të gjitha kompanitë në vendet ku BALFIN është i pranishëm”, – thotë Elvin Nosi.

Eneida Bica, menaxhere komunikimi në IDRA, thotë për “Monitor”, se kanë nisur me konceptin e “Staff retrat” në vitin 2007.

“Në përgjithësi janë organizuar larg vendit të punës, në destinacione ku mund të shkohet lehtësisht. Mund të përmendim Mal i Zi, Dajt, Durrës, Llogora etj. Këtë vit do të organizojë edhe “IDRA Kosova Retreat” në mënyrë të pavarur si zyrë. Kohëzgjatja ka qenë dy ose tri ditë.

Gjatë periudhës së pandemisë nuk janë organizuar (2019-2021) dhe rifilluam sivjet në maj 2022. Shpenzimet janë mbuluar të gjitha nga kompania si: transport, akomodim, t-shirts, vaktet të gjitha të përfshira, ‘coffeebreak’ etj.”, – thotë znj. Bica.

Sipas saj, “retreat”-et kanë shërbyer si reflektim mbi arritjet dhe sfidat që na presin. Përcaktohen rekomandimet dhe hapat e mëtejshëm. Këto të dhëna reflektohen në Analizën S.W.O.T të kompanisë. Ajo shton se këtë vit, secili departament përgatit analizën e përgjithshme në krahasim me vitin e mëparshëm dhe aktivitete si lojëra dhe “ice-breakers”.

“Organizimi paradite ka qenë në formë lojërash, punë në grup, ‘ice-breakers’ (thyerje akulli), brainstorming, Q&A for the boss etj. Gjatë pasditeve janë organizuar aktivitete si lojëra sportive, hiking, karaoke etj. Stafi në rritje dhe rritja e çmimeve në përgjithësi ka sjellë që çdo vit, edhe vlera e shpenzuar të jetë më e madhe”, – thotë ajo.

Ndërveprimi rrit suksesin e kompanisë

Ita Semi, në drejtorinë e Komunikimit në “Philip Morris Albania”, thotë se gjatë vitit organizohen aktivitete të ndryshme, të cilat ndihmojnë në gjithëpërfshirjen e stafit.

“Ndër to mund të përmendim ‘Team Building’ që organizohen: një me të gjithë stafin lokal dhe të tjerë ku stafi mblidhet me departamentet përkatëse nga i gjithë rajoni. Cilido qoftë formati, destinacioni apo aktivitetet që do të zhvillohen, zgjidhen së bashku mes kolegëve, pasi qëllimi i vetëm është që gjithsecili të ndihet pjesë kontribuuese e skuadrës dhe lojtar i rëndësishëm në sukseset e kompanisë.

Ndër të tjera, këto organizime shërbejnë edhe si një mundësi shumë e mirë për socializimin me ekipin, duke qenë se ky lloj ndërveprimi sjell ndikime pozitive.

Gjatë vitit, stafi i PMA përfiton edhe elemente të tjera që ndikojnë drejtpërsëdrejti në mirëqenien e individëve, një aspekt i cili konsiderohet themelor në kompaninë tonë. Krahas kujdesit mjekësor të specializuar, çdo punonjës përfiton abonim vjetor në palestër, klasa online joga disa herë në javë, si dhe organizime të tjera sportive të zgjedhura nga vetë punonjësi.

Festat kanë sërish në fokus stafin, ku përveç dhuratave të mirëmenduara, organizohet një festë së bashku me kolegët e tregjeve të tjera”, – thotë ajo.

Rozarta Kore, menaxhere e Burimeve Njerëzore e Grupit Duka, thotë se grupi prej disa vitesh e ka shndërruar në traditë organizimin e aktiviteteve gjeneruese, si dhe “team-building”, për të cilat kryesisht kontraktohen kompani të jashtme të kësaj natyre dhe organizohen forma të ndryshme.

“Me kalimin e viteve, buxheti i parashikuar për këtë qëllim është rritur vazhdimisht. Organizimet nisin nga lojëra në natyrë, me një drejtori të caktuar, deri te dreka, darka, udhëtime brenda e jashtë vendit.

Gjithashtu u kushtojmë rëndësi edhe trajnimeve të vazhdueshme të stafit, me qëllim investimin tek to të njohurive që më pas do të përkthehen në përfitime të punës së kompanive. Në planet e ‘Eco Market’, ‘GoTech electronic’, ‘Kantina Duka’, ‘Flagship Center’, ‘Duka Ltd Rwanda’. janë që në vijim, sipas nevojave që ka secila kompani ose drejtori e caktuar, drejtoria bashkëpunon me zyrën tonë të Burimeve Njerëzore dhe zgjedhim aktivitetin që është më i përshtatshëm”, thotë znj. Kore.

Tomi Kallanxhi, drejtues i kompanisë “Big Media Expert”, thotë se prej vitesh ka pasur organizime të ndryshme për punonjësit.

“Mund të them se ne organizojmë shpesh diçka, tipologjia e ‘retreats’ varion nga stina, fluksi i punës. Në çdo staf, në ‘retreats’ që bëjmë, kemi në fokus bashkëpunimin, të gjithë janë të përfshirë dhe gjithnjë jemi të gjithë bashkë. Barbeque është ‘retreats’ ynë i pëlqyer, në natyrë ose buzë detit, shoqëruar me muzikë dhe lojëra të ndryshme.

Nuk mungojnë edhe rastet kur në një apartament të marrë me qira ditore, secili sjell një gatim të tijin të preferuar, të cilin e gatuan vetë dhe ndajmë së bashku vlerësimet e një muaji të mbyllur dhe objektivat e rëndësishëm të së ardhmes. Gjithashtu kemi nisur e me organizime si udhëtime jashtë që janë mënyrë shumë e mirë për t’u njohur e bashkëpunuar”, – thotë ai.

Sa u përket përfitimeve të arritura përmes këtyre organizimeve, z. Kallanxhi thekson se punonjësi motivohet kur kupton se është pjesë e diçkaje, që ai vetë jep kontribut të rëndësishëm. I pyetur nëse ndikohet nga emigracioni i të rinjve, grupmoshë e cila është 100% pjesë e stafit të tij, ai thotë se “të rinjtë nuk largohen sepse kompanitë shqiptare nuk i trajtojnë mirë. As se nuk paguhen mirë. Të rinjtë largohen për elemente si arsimi, shëndetësia që i mungojnë këtu”.

Redjan Ymeraj, bashkëthemelues i “Enteera”, thotë për “Monitor” se kompania e tij lindi pikërisht nga kërkesat në rritje të retreat nga kompanitë vendase.

‘Enteera’ lindi si zyrë për të zgjidhur një problem që ka nisur të shfaqet në kompanitë shqiptare, që është investimi në mirëqenien e stafit. Nuk flasim këtu vetëm për festat apo ndonjë organizim joperiodik, por bëhet fjalë për një investim mujor, periodik, shërbime për mirëqenien e stafit.

Problematikat që lidhen me “staff retreat” janë të kushtueshme, të bukura, rrisin bashkëpunimin mes punonjësve, por është vënë re pas aktiviteteve, performanca bie. Nuk kthehen dot mbrapsht me të njëjtën mendësi, siç ishin para festës, ‘retreat’, udhëtimit”, – thotë z. Ymeraj.

Ka kompani që po heqin dorë nga “staff retreat” kohët e fundit, pikërisht për këtë arsye, thotë ai.

“Ose duan të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Ndaj lindi ‘Enteera’, ne bëjmë menaxhimin total të formave të aktiviteteve gjeneruese për punonjësit, sipas buxhetit që kompanitë kanë. Luajmë pak a shumë rolin e ndërmjetësve, kemi në dispozicion disa paketa dhe kjo është një lehtësi për ta menaxhuar me kosto të ulëta menaxheriale dhe financiare, pasi rimbursimet, pagesat kryhen nga ne, kompania paguan vetëm një faturë mujore për ne” – thotë z. Ymeraj.

I pyetur, aktualisht se cila është shuma minimale që kompanitë po shpenzojnë për këtë qëllim, përgjigjet 5000 lekë për punonjës në muaj. Sipas tij, kompanitë e Teknologjisë së Informacionit priren që të shfaqin më tepër interes për aktivitetet e tilla rigjeneruese, ndërsa ndër shërbimet më të kërkuara janë ato të sigurimeve shëndetësore.

Pashaj: Ka rreth 3 vite që u janë kushtuar rëndësi aktiviteteve rigjeneruese

“Tre vitet e fundit ka një kërkesë shumë të lartë për t’u kushtuar vëmendje aktiviteteve rigjeneruese nga kompanitë shqiptare” – shprehet Erald Pashaj, drejtues i EPPC Albania and Kosovo, i cili prej vitesh ofron trajnime në këtë sektor, si dhe nxjerr studime e raporte të herëpashershme.

I pyetur se çfarë roli luan “staff retreat” në uljen e ezaurimit të punonjësve, rritjen e motivimit e produktivitetit, ai thotë se format janë të shumta.

Format për të minimizuar ezaurimin e punonjësve në punë janë të shumta, ka shumë modele dhe gjëra që mund të bëjë një kompani. Por, po përmend këtu disa nga elementet kryesore.

Në trajnimet që ne bëjmë, ne themi që duhet të fillojmë që të punojmë e të zhvillojmë drejtuesit, menaxherët, t’i fuqizojmë ata, t’i trajtojmë dhe t’i riaftësojmë, sepse këta janë personat të cilët menaxhojnë edhe volumin e punës, edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe menaxhojnë të qenët puna kuptimplotë apo jo.

Pra, nëse ne, nuk ngremë dhe zhvillojmë një kast menaxherësh siç duhet, është e vështirë që ne të punojmë me bazën e punonjësve. Që këta të mos na ezaurohen. Janë menaxherët që krijojnë të gjithë atmosferën dhe të gjithë faktorët që përmenda se pse ndodh ezaurimi në punë.

Elementi dytë është që duhet ta bëjmë punën kuptimplotë. Gjithmonë organizata duhet ta lidhë qëllimin që ka njeriu, i cili shkon në punë, me misionin e organizatës.

Nëse puna në një moment të caktuar për punonjësin nuk ka qëllim, atëherë këta persona nuk ndihen të angazhuar. Duket si diçka futuristike për vendin tonë, por nuk është kështu. Kur ti ndihesh i pavlefshëm, fillon të mos prodhosh më dhe lodhesh edhe pa punuar.

Elementi i tretë është ‘retreat’ ose aktivitete rigjeneruese. Pra, si mundemi ne të krijojmë një mënyrë që ta rigjenerojmë stafin tonë.

Kjo formë e ka origjinën gjatë Luftës së Parë Botërore, ku ushtria gjermane tërhiqej nga vija e frontit, hynte më në thellësi të territorit të saj, me gjeneralët apo komandantët më të mirë, për t’u tërhequr dhe për t’u rikthyer më të fortë se më parë.

Pse e bëra këtë historik të shkurtër? Ne duhet që të tërhiqemi ndonjëherë me stafin tonë, në mënyrë që ta rigjenerojmë për nesër. Fjala kyçe është NESËR. Pra, si ne nesër do të kemi një forcë më të angazhuar dhe më të motivuar për të punuar.

Dhe këto aktivitete ndihmojnë por nuk zgjidhin çdo problem. Sepse shpeshherë problematikat janë më të thella. Por, ata ndihmojnë.

Fillimisht, aktivitete të tilla janë krijuar vetëm për drejtuesit, më vonë u zgjeruan edhe për pjesën tjetër të të punësuarve. Përfitimet e këtyre aktiviteteve janë:

  • Japin një shtrirje më të gjerë të punës së secilit dhe të kompanisë në tërësi: cili është qëllimi i kompanisë, vizioni, çfarë planesh në të ardhmen etj. Njerëzit në aktivitete të tilla duhet të marrin një panoramë të plotë të kompanisë.
  • Merren vendime me bazë të gjerë, të formave konsensuale. P.sh. kushtet e punës, performanca e njëjtë
  • Shërben për t’i vlerësuar punonjësit, për t’i vënë në dukje rezultatet e mira, si formë motivimi
  • Nxit moralin për të punuar më mirë në të ardhmen
  • Krijojmë një kulturë për të thënë të vërtetën
  • Nxisim kreativitetin
  • Njohim më mirë njëri-tjetrin

“Fokus i vazhdueshëm te rritja e bashkëpunimit mes punonjësve”

Flet Enklida Çibuku, Menaxhere e Burimeve Njerëzore “Union Bank”

Energjia pozitive, përmirësimi i marrëdhënieve midis kolegëve dhe rritja e bashkëpunimit janë tre nga pikat kryesore që kemi marrë si përgjigje nga aktivitetet e organizuara për punonjësit, – shprehet menaxherja e Burimeve Njerëzore të “Union Bank”, Enklida Çibuku.

Në këtë kontekst, shprehet ajo, “Union Bank” është e angazhuar të ofrojë më shumë mundësi në këtë drejtim në vijim…

Cilat janë format e “retreat” apo “team-building” që organizoni në “Union Bank”?

Në “Union Bank” i kemi kushtuar rëndësi organizimit të “retreat”-eve dhe aktiviteteve “team-building”, në nivel menaxherial por jo vetëm.

Qëllimi është të mundësohet kalimi i kohës me kolegët jashtë rutinës së përditshme të punës, për t’u informuar dhe për të diskutuar për tema të ndryshme. Por, synimi kryesor është për të kaluar kohë të këndshme me kolegët, për t’u njohur më mirë edhe në nivel personal, për të përmirësuar bashkëpunimin, etj.

Organizimet janë kryesisht një ose dyditore dhe përfshijnë një kombinim të një takimi të shkurtër, si dhe të aktiviteteve “team-building”, me lojëra në sallë ose në ambiente të hapura, të cilat nxisin frymën e bashkëpunimit, avantazhet e punës në skuadër etj.

Aktivitetet synohet të zhvillohen në natyrë, ose në bregdet, duke synuar çlodhjen dhe kënaqësinë e stafit pjesëmarrës. Përveç këtyre organizimeve, promovojmë edhe disa më të thjeshta si dreka apo darka me kolegët në degë apo në departament, “happyhours”.

Organizimet i bëni vetë apo kontraktoni një kompani të jashtme për këtë?

Për të bërë një organizim sa më cilësor, jemi mbështetur në kompani partnere, që ofrojnë këto shërbime, kryesisht për aktivitetet “team -building”. Përvoja ka qenë mjaft pozitive.

Si ka evoluuar buxheti i caktuar për këtë qëllim me kalimin e viteve?

Fokusi në këto lloj aktivitetesh ka ardhur duke u rritur, sidomos pas periudhës së pandemisë. Edhe buxheti është rritur. Konkretisht, planifikojmë rritje të mëtejshme edhe në buxhetimin për vitin 2023. 

A keni vënë re ndryshime në motivimin e punonjësve apo përfitime të tjera?

“Feedback” nga pjesëmarrësit ka qenë mjaft pozitiv. Disa kohë pas këtyre aktiviteteve ndihet energjia pozitive, përmirësimi në marrëdhëniet midis kolegeve dhe rritja e bashkëpunimit. Në “feedback” dhe pyetësorët e zhvilluar për stafin, është e qartë kërkesa në rritje për aktivitete jashtë pune me kolegët, me shpeshtësi 3 dhe 6-mujore. Në këtë kontekst, “Union Bank” është e angazhuar të ofrojë më shumë mundësi në këtë drejtim në vijim.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME