Kriminelët shqiptarë në burgjet britanike do të dërgohen në shtëpi për të vuajtur dënimin e tyre në një gjest vullneti të mirë për Vitin e Ri nga qeveria e Tiranës”. Kështu e nis lajmin “Daily Mail” që raporton se 50 të dënuar shqiptarë të dënuar në Shqipëri do të depërtohen në vendin tonë. Ata kanë dalë vullnetarë për t’u transferuar nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e marrëveshjes së re mes dy qeverive.
10 të parët pritet të deportohen me avion çarter gjatë javëve të para të janarit raporton “Daily Mail”. Sipas të njëjtave burime ky është një “hap i parë” nga të dy vendet në këtrë drejtim. Të gjithë të burgosurit e dërguar në shtëpi do të vuajnë dënimin e plotë të vendosur nga gjyqtarët e Mbretërisë së Bashkuar.
Deri më tani, deportimet përfshinin ose persona që e kishin mbaruar dënimin në Mbretërinë e Bashkuar ose njerëz që ndodheshin në Britani ilegalisht pasi kishin kaluar Kanalin me varka të vogla. Një burim pranë qeverisë shqiptare i tha “Daily Mail” se bisedimet intensive mes Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një pakt për transferimet e para të të burgosurve.
“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, – shtoi burimi.
Shtetasit shqiptarë përfaqësojnë rreth 10% të të huajve në burgjet angleze dhe ato të Uellsit. Në numërimin e fundit kishte më shumë se 1336 të dënuar shqiptarë.
Grupi i parë i të dëbuarve kanë rënë dakord të kthehen, por marrëveshja Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar thotë se të burgosurit mund të transferohen në të ardhmen pa pëlqimin e tyre. Pakti thotë se Shqipëria duhet të marrë garanci se dënimi i atyre që do të dëbohen do i përshtatet krimit të tyre përpara se të jepet drita jeshile për udhëtim.
Më pas Daily Mail përmend edhe disa nga të dënuarit më gjatë në burgjet britanike. Sipas gazetës shqiptarët që vuajnë dënimet më të gjata në burg janë 2 vrasës dhe 3 trafikantë droge. Në total për ta është dhënë 143 vjet.
Një prej tyre është ish-punonjësi i garazhit, Koci Selamaj. 37-vjeçari po vuan dënimin më të gjatë nga shqiptarët. Ai goditi për vdekje vajzën e re, Sabina Nessa teksa ajo ecte nëpër një park në Londër në shtator 2021. Ai u dënua me 36 vjet.
Një tjetër vrasës, Ali Qazimaj, 48 vjeç, nga Tilbury, Essex, u dënua me 35 vjet në 2017 për vrasjen e Peter Stuart, 75 vjeç dhe gruas së tij, Sylvia, 69 vjeç, trupi i së cilës nuk u gjet kurrë.
Mes “mbretërve të drogës” të burgosur janë 32-vjeçari Valjet Pepaj i dënuar me 27 vjet burg, 37-vjeçari Erald Mema, me 25 vjet burg dhe Sami Qerkini, 57 vjeç, i dënuar me 20 vjet burg.
Të gjithë, në të ardhmen, do të kenë mundësi për dëbim në burgjet shqiptare. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria arritën një marrëveshje fillestare për të transferuar të burgosurit shqiptarë në korrik 2021. Kuvendi i Tiranës e ratifikoi paktin 2 muaj më vonë. Por, sipas burimeve, burokracitë penguan efektivitetin e marrëveshjes.