Nuk ka shumë histori, Interi është fitues i Superkupës së Italisë për vitin 2023, pasi ka dominuar totalisht në finalen ndaj Milanit. Skuadra e Inzaghit arriti një sukses spektakolar 3-0 në duelin e luajtur në “King Fahd International Stadium” në Arabinë Saudite.
Dimarco do të zhbllokonte shifrat në minutën e 10-të me një goditje perfekte, që erdhi nga një asist i Barellas. Interi nuk u ndal me kaq, pasi në minutën e 21-të, Edin Dzeko lë në vend Tonalin me një veprim të bukur dhe më pas mposht portierin Tatarusanu.
Milani përpiqet të reagojë, por nuk arrin të bëjë asgjë përballë mbrojtjes së hekurt të rivalëve. Interi gjeti dhe golin e tretë në minutën e 77-të, me Lautaro Martinez që kompletoi mbrëmjen perfekte të zikaltërve me një veprim të shpejt ndaj Tomorit dhe më pas e dërgoi topin në trekëndësh.
Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e 7 Superkupave, duke barazuar Milanin, ndërkohë që kryeson Juventus me 9 tituj.