Kreshnik Hajdari, Qerim Ismailaj, Fredi Beleri dhe Kristian Shkreli të cilët kandidonin për kryetar bashkie në qytetet përkatëse rrezikuan pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e zhvilluara dy ditë më parë.
Kreshnik Hajdari i cili u shpall fitues në garën përballë Ilirjan Koxhajt dhe Lefter Maliqit për bashkinë e Kuçovës u akuzua se është dënuar në Greqi. Ai tha asokohe se nuk ka qenë në dijeni të këtij vendimi, dhe se kjo nuk e penalizonte për kandidimin e tij për një mandat të dytë.
Qerim Ismailaj i cili u shpall fitues në garën përballë Agron Kapllanjt dhe Resmi Shanajt për bashkinë e Mallakastës është dënuar në muajin shkurt nga GJKKO me 6 muaj burg, me akuzën për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Ismailaj është dënuar nga GJKKO për falsifikim dokumentesh, pasi ai ka rezultuar i dënuar më parë në Greqi se ka rrahur një person në vitin 1999. Ismailaj nuk e kishte deklaruar këtë në formularin e dekriminalizimit, por ka thënë se s’ka qenë në dijeni të këtij dënimi në Greqi.
Ka qenë Partia Demokratike që ka denoncuar dënimin e Ismilajt në Greqi, që më pas u zbulua nga përgjigja e letër porosisë greke. KAS vendosi rrëzimin e ankimit të PD për përjashtimin nga zgjedhjet te kandidatit të PS në Mallakaster, Qerim Ismailaj.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit, ‘”Bashkë Fitojmë” në Himarë u arrestua mesnatën e së premtes në restoranin e tij në Himarë me dyshimin për blerje votash.
Kandidati i të djathtës u shoqërua nga uniformat blu të komisariatit të Himarës, për llogari të Prokurorisë së Vlorës.
Ndonëse në qeli, Beleri u shpall fitues në garën përballë kandidatit socialist, Jorgo Goro.
Më 25 prill, 15 deputete të PD, kanë kërkuar verifikimin me urgjence të kandidatit të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, pasi rezulton se në vitin 2021, kur ka qenë kandidat për deputet nën siglën e PS, nuk ka deklaruar dëbimin e tij nga Italia në vitin 2007, në formularin e dekriminalizimit.
Në vitin 2023 ai ka deklaruar dëbimin, por pa dhënë arsyet e dëbimit, duke fshehur faktin se ai është dëbuar për kryerjen e një vepre penale.
Shkreli u shpall fitues përballë Zef Hilës dhe Klomentina Drinit për bashkinë e Vaut të Dejës