Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËVETES JA RRITËN “BABËZISHT”, POPULLI HA “VARFËRISHT”…

VETES JA RRITËN “BABËZISHT”, POPULLI HA “VARFËRISHT”…

Nga Thoma Goga – Eh, moj mesatare, mesatare!…Kjo punë e mesatares na hyri në gjak që kur ishim në shkollë. Prindërit dhe mësuesit na thoshin: “Mësoni që t’a keni të lartë mesataren”. Sepse mbi këtë bazë fitoje të drejtën e studimit për shkollë të lartë, ose për të zënë një vend pune të mirë, për të bërë karrierë lart e më lart. Kështu “mesatarja” u bë kriter bazë për të zgjedhur më të mirët në çdo fushë të jetës. Mesatarja na dilte edhe në ëndërr. Eh, moj mesatare, mesatare!…
Kjo ishte tema e diskutimit edhe sot në lokalin tonë, ku bashkë me “kundërshtarin tim” Selim rrufisim “shqeton” tonë.

  • Sa e ke nxjerrë mesataren ti Selim?
  • Unë isha më i miri klasës, po ma nxorrën 7,- tha ai.
    -Pse?- pyeta seriozisht.
  • Sepse unë isha “kulak” e nuk lejohej ta kisha më të lartë…E ç’e doja më lartë! Unë në kooperativë do punoja me kazëm e lopatë…
    Nejse. E kuptova ku e vërviti llafin miku im Selim. Ndaj debatin “e zbytha” në kapitullin “haberet e ditës”.
  • I ndoqe lajmet e fundit mbrëmë në televizor? Po flitet shumë se do kthejnë prapë kriterin që quhet “me-sa-ta-re”. Kush ta ketë më të lartë, do bëj më lartë. Si atëherë, të kujtonet?! Shkurt, kësaj i thonë “të shkojë haka te i zoti”. Apo as nashti nuk të intereson mesatarja?!
  • Ça llafos ti ‘re?! Po si do zgjidhen specialistët, se këta po e heqin fare konkursin? Ku është meritokracia? Apo e zëvendësojnë me “shkërdhatokracinë”?
  • Pusho ‘re, kulaku derrit! Heqin “meritokracinë” dhe vendosin “mesataren”. Këto punë i di qeveria…
  • Lëna o Çome, mos më nga,- ma ktheu Selimi.- Na hëngri fjala “mesatare, mesatare”. Kjo ndodhte “në kohën tonë”. Nashti ka deputetë e ministra pa shkollë fare.
  • Ja ku më dole në shteg. Ta dish ti o miku im, mesatarja në kohën e sotme po përdoret shumë edhe nga ca si biçim “studimesh”, – fillova të shpjegoj unë.- Ka institute që drejtohen nga “ustallarë”. Ata nxjerrin “mesataren” e rritjes së rrogave, “mesataren” e rritjes së mirëqenies, të punësimit, mesataren e rritjes së turizmit, të konsumit të ushqimit, etj. etj.
  • Ça llafos ti ‘re?!- më ndërpriste Selimi. – Me një fjalë, na mbyti “mesatarishtja”.
  • Dhe me “gjuhën” e tyre flasin ca palo politikanë që t’i mbushin mendjen popullit, se sot po jetojmë më mirë nga dje dhe nesër do jetojmë më mirë se sot.
    Selimi bënte sikur dëgjonte me vëmendje. Tundte kokën dhe hera-herës rrufiste kafenë. Ndërsa unë dërdëllisja t’i “mbushja” mendjen mikut tim.
  • E dëgjove dje atë haberin më interesant?! Çdo familje shqiptare konsumon në javë “mesatarisht” 2 kg mish…
  • Ça llafos ti ‘re?! Të jetë e vërtetë?! Mos është ndonjë lajthitje. “Tolloni” im rrallë është 1 kg mish në muaj,- ma ktheu miku im, pensionisti Selim.
  • Jo, jo. Nuk është lajthitje fare. Edhe këtu kanë vënë “në punë” atë që quhet “mesatare”,-vazhdoja dërdëllisjen unë.- Ata “ustallarët” e mesatares, siç duket kanë pyetur ndonjë bos që ha 4 kg mish në javë. Kurse ti nuk ke ngrënë asnjë gram. Po të pjesëtosh 4 kg për 2 persona, i bie që “mesatarisht” edhe ti ke ngrënë 2 kg në javë. Ka “ustallarë” sot, babam!
  • Ça llafos ti ‘re?! Pse kështu bëhen këto “studime”? -ngriti zërin Selimi. – Me një fjalë, kur ha ai “bosi” 4 kg mish, i bie që unë të ha 2 kg “mesatarishte”, jo mish. Domethënë, nashti që u rrit dyfish rroga Presidentit dhe deputetëve, gjysma e përqindjes më takon mua. Sipas këtij hesapi, njëfish më është ngritur dhe mua “mesatarisht”. Kështu thua zotrote?! Hajde studime, hajde!…
  • Shko ‘re “kulaku” derrit e merr pensionin! Thuaj “Faleminderit qeverisë”, që ta ka ngritur edhe ty “mesatarisht” sa një qofte me mish…,- hodha unë një shashkë.
    Selimi, që ma njeh mirë gjuhën, qeshi. Tundi kokën dhe psherëtiu:
  • Eh, moj mesatare, mesatare! S’m’u ndave që s’m’u ndave! Kur ishim në kooperativë më çove me lopatë. Nashti në demokraci ma ke ngritur “mesatarisht” sa një qofte në pjatë…

(TH.G.)

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME