Kombëtarja e Shqipërisë regjistroi fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Të përzgjedhurit e Sylvinhos triumfuan sonte ndaj Moldavisë, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultatin 2:0.
Jasir Asani (52’) dhe Nedim Bajrami (76’) shënuan golat e fitores për Kombëtaren shqiptare.
Për Bajramin ishte ky goli i tij i parë zyrtar me “Kuqezinjtë”.
Ai pas ndeshjes u shpreh i lumtur për golin dhe fitoren, teksa tha edhe se me Sylvinhon po luan në pozitën e tij të preferuar.
“Jemi të lumtur që fituam dhe për golin e parë me Shqipërinë, kemi rrugë para dhe jemi një skuadër që besojmë dhe japim maksimumin. Edhe në ndeshjen e parë me Poloninë luajtëm mirë, mungoi goli, por tani fituam. Vëmendja tani shkon te ndeshja e radhës në udhëtim ndaj Ishujve Faroe dhe nuk do të jetë e lehtë”, tha fillimisht 24-vjeçari.
“Futbolli kështu e ka, tani është Sylvinho dhe luaj në pozicionin e preferuar me skemën e preferuar. Erdhi edhe goli dhe shpresoj që të shënoj sërish. Por, pavarësisht ku luaj unë do të jap maksimumin”, deklaroi Bajrami