Greqi – Tmerr në një dyqan mishi në Mesolongji: Një grua shqiptare shkoi për të pastruar makinerinë e mishit dhe humbi jetën
Tragjedia ndodhi para syve të vajzës së saj – Thuhet se punëtores makineria i kapi flokët
Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një dyqan mishi në Mesolongji ku viktimë ka ngelur një grua shqiptare.
Sipas informacioneve të para shqiptarja e moshës rreth 50 vjeç
ka shkuar në dyqan për të pastruar një makineri që pret mishin dhe llogaritet se i janë kapur flokët, duke i shkaktuar vdekjen.
Mësohet se tragjedia ka ndodhur përballë vajzës së viktimës, e cila ka nisur të bërtasë. Nënë e bijë duket se punonin së bashku duke pastruar dyqane.
Policia , EMS dhe Zjarrfikësja shkuan në vendngjarje për të ndihmuar në nxjerrjen e gruas fatkeqe nga makineria.
Viktima kishte dy vite që jetonte në Mesolongji me dy fëmijët e saj, vajzën dhe djalin 10-vjeçar. Kishte shkuar këtu nga Shqipëria pas divorcit me bashkëshortin.
“Ishte një grua shumë e mirë, punonte nga mëngjesi në darkë së bashku me të bijën duke pastruar dyqanet, për të nxjerrë bukën e gojës”, tregon për protothema.gr një person që e njihte dhe jetonin në të njëjtën lagje.