Diplomatë të huaj kanë shkuar sot në SPAK dy ditë pas caktimit të masës ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe arrest në burg për dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Dhëndri i ish-kryeministrit Jamarbër Malltezi u arrestua të shtunën në aeroportin e Rinasit. Ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrim parash” lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Për Berishën u caktua masa ‘detyrim paraqitje’ si dhe iu bllokua pasaporta, për të mos lejuar kështu daljet jashtë vendit.
Pavarësisht se ish-kryeministri i mohoi akuzat në konferencën e jashtëzakonshme të së Shtunës, ai është shprehur i gatshëm të përballet me drejtësinë. Berisha ka theksuar se duke qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për marrjen e një vendimi të tillë, sipas ligjit, fillimisht duhej një procedurë parlamentare.