Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka qenë sot në vizitë tek Dardanët duke dëshmuar edhe njëherë lidhjen e fortë që kanë futbolli shqiptar me atë të Kosovës. Lajmin për vizitën e ka dhënë udhëheqësi i Dardanëve, Lulëzim Berisha.
“Zëvendëspresidenti i UEFA-s dhe njëherësh shefi i futbollit shqiptar, Armand Duka, na nderoi me vizitën e tij te fanclub-i i Dardanëve në shoqërinë e presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Është vërtet kënaqësi të shohësh kur shqiptarët bëjnë progres kaq të madh në institucione ndërkombëtare dhe kjo serish nuk i pengon të mbetën të përulur dhe në shërbim të përmirësimit të futbollit duke i harmonizuar veprimet me njëri-tjetrin.
Kjo fotografi është imazhi më i mirë i një bashkimi modern mes shqiptarëve që angazhohen e punojnë për të mirën e përbashkët pavarësisht çfarë thonë gojët e liga”, ka shkruar Lulëzim Berisha në Facebook.