Në dalje të seancës parlamentare, Monika Kryemadhi tha se largimi i Ilir Metës nga Shqipëria ishte “fake news” dhe se lajmet e rreme janë shndërruar në një biznes më fitimprurës se ndërtimet. Kur u pyet nga gazetarët nëse ka fletë-thirrje nga SPAK për Ilir Metën ajo u përgjigj:
“Edhe mund të ketë. Çfarë problemi ka? Mund të ketë edhe 200 çështje. Për ne fletëthirrje nuk ka. Por mund të ketë edhe për dashnoret dhe dashnorët e gazetarëve”
Pak ditë më parë në disa media u raportua se Ilir Meta ndodhej jashtë vendit, ndërsa prej disa ditësh deputetë të opozitës thanë se nuk kishin biseduar me të.
“Unë kam kuptuar se biznesi më fitimprurës në Shqipëri nuk është ndërtimi, por fake neës. Në bazë të fake neës ndërtohen paditë, ndërtohen narrativat, ndërtohen projektligje. Sot situata e lirisë dhe të drejtave të njeriut është në një stad ku nuk përfshihet në asnjë lloj sistemi demokratik, as hibrik. Sot është Republika e Drogës, e cila në krye të saj ka një kryeministër, që nuk pyet as për Parlamentin dhe Presidentin. Ai është garantuesi kryesor i trafikut të drogës nga Venezuela, Kolumbia, Dubai dhe vendet e lindjes, për të krijuar trekëndëshin e Bermundës së tij në Ballkan sa i përket trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe institucionalizimit të krimit të organizuar”, theksoi ajo.
“Ju besoj jeni të njohur edhe me zbërthimin e Sky dhe Encro Chatit, për implikiminm e drejtuesve të lartë të policisë dhe gazetarisë që tregojnë haptas se si grupet kriminale në Bashkimin Evropian kanë gjetur strehë dhe mos u çudisni ku familjarët e tyre do të drejtojnë institucionet”, u shpreh Kryemadhi.