Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMISi u shkrumbuan 700 hektarë pyje në “zonë të mbrojtur”

Si u shkrumbuan 700 hektarë pyje në “zonë të mbrojtur”

Në më pak se dy javë, masivi pyjor me pisha në bregdetin e Pishë Poros dhe Darëzezës u dogj. Zjarri filloi më 24 shtator dhe u vu nën kontroll vetëm në 5 tetor, pasi kishte shkrumbuar 700 hektarë pyll me pisha. Vatra e parë masive u shfaq në Darëzezë dhe shkrumboi brenda pak orësh mbi 100 hektarë pyll pishe. Disa ditë më pas, zjarri preku pjesën jugore të pyllit në afërsi Pishë Poros dhe pas 8 ditësh arriti në vatrën fillestare në Darëzezë.

Për shuarjen e flakëve u angazhuan qindra zjarrfikës nga i gjithë vendi, forca të ushtrisë dhe dy avionë ‘Canadair’ që erdhën në ndihmë nga Greqia. Por lufta me flakët nuk qe e lehtë. “Eshtë e vështirë të shuash zjarrin në këto pyje sepse edhe kur duket se nuk ka flakë, shtresa e bimeve dhe gjetheve qëndron e ndezur për ditë të tëra duke u riaktivizuar si vatra në kushtet e temperaturave të larta dhe erës së fortë,” tha prefekti i Qarkut Fier, Lefter Shehaj.

“Kështu ndodhi në Pishë Poro dhe Darëzezë ku zjarri që menduam se u shua, u rishfaq një javë më vonë”, shpjegoi ai. Sipas ekspertëve vendorë të mjedisit dëmi i shkaktuar prej këtij zjarri ka qenë i madh, ndërkohë që zjarrëfikësit theksojnë se mungesa e pajisjeve e ka bërë të pamundur shuarjen në kohë të tij. “Sipërfaqja e djegur është më shumë se 1/3 e pyllit, e cila ka humbur plotësisht funksionet e saj ekologjike duke dalë jashtë funksioni”, tha Zydjon Vorpsi, specialist i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Fier.

Zona e mbrojtur u shkrumbua

Pylli i Pishë Poros është mbjellur pëpara 40-50 vjetësh nën sistemin e dunave në të dy anët e grykëderdhjes së kanalit kullues të Povelçës, në rreth 7 kilometra gjatësi. Në vitin 2022 ai ishte shpallur nga Këshilli i Ministrave si ‘peizazh i mbrojtur’ dhe ishte pjesë e rrjetit ‘Emerald’ – një rrjet zonash ekologjike të shpallura si të një rëndësie të veçantë nga Këshilli i Europës nën konventën e Bernës.

Flakët që e përfshinë këtë vit zonën nuk kanë djegur vetëm pemët por kanë shkrumbuar të gjithë zinxhirin ushqimor, duke zhdukur edhe strehën e dhjetra llojeve të egra të kafshëve dhe shpendëve. Sipas Zydjon Vorpsit, një vlerësim paraprak logjik, të çon lehtësisht në përfundimin se humbja e biomasës e përkthyer në shifra është në nivele të larta, ndërkohë që i gjithë zinxhiri ushqimor është zhdukur bashkë me mundësinë e strehimit të jetës së egër.

“Vendfolezimet e llojeve të cilat ishin vrojtuar aty nuk do jenë më, duke hequr dhe mundësinë e prezencës së këtyre llojeve,” shpjegoi Vorpsi. “Këtu përfshihen llojet e shpendëve të natës si gjoni, kukuvajka mjekroshe apo kukuvajka e zakonshme, llojet e ndryshme të qukapikëve të cilët ishin prezent në zonë, pupëza apo kacavjerrësi i pemëve”, shtoi ai. Drejtori i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Fier, Fotjon Premçe i tha BIRN se zjarri shaktërrimtar i këtij viti në Pishë Poro ishte më i madhi gjatë një dekade.

“Pylli ishte djegur në 2013-ën por u rikuperua, megjithëse pemët ende nuk kishin arritur lartësinë e mëparshme,” tha Premçe, ndërsa shtoi se tashmë ‘gjithça u dogj sërisht.’ Premçe thotë se pylli kishte shumë specie që tani janë bërë shkrumb e hi. “Fakti që është zonë e mbrojtur do të thotë se ka specie bimësh dhe kafshësh të veçanta,” tha ai. “Konkretisht në këtë pyll kishte bimë dhe pemë endemike që tani me zjarrin mund të jenë zhdukur përfundimisht”, përfundoi Premçe.

Taulant Bino, drejtues i shoqatës së Orintologjisë shpjegon se situata ka sjellë humbje të habitatit për mjaft prej shpendëve, ndërsa thotë se speciet më të dëmtuara janë amfibët, reptilët dhe zvarranikët. “Kjo është zonë e mbrojtur dhe përveç pyllit ka edhe një lagunë, ndaj mendohet se dëmi në gjallesa është i konsiderueshëm,” tha Bino. “Breshka është një specie që pëson humbje të mëdha në zjarre te tilla”, shtoi ai. Sipas Vorpsit dëmi nuk është shkaktuar vetëm në pjesën e djegur të pyllit. Zjarri pritet të ndikojnë negativisht edhe pjesën tjetër të ekosistemit Nartë-Pishë Poro dhe në zonën e lagunës.

“E gjithë masa e djegur rrezikon të depërtojë në ekosistemin ujor duke e ndotur dhe duke ndryshuar parametrat biologjike”, tha Vorpsi. Sipas Vorpsit, zjarri “dogji” edhe mundësinë që pylli të përfshihej në rrjetin “Nature 2000” – një rrjet europian i zonave të mbrojtura. Ai sqaroi se për zonën kishte një studim të vitit 2020, sipas të cilit ajo kishte habitate që përfshihen në Direktivën e Habitateve të Bashkimit Evropian, për këtë arsye ajo u propozua si një zonë kandidate për tu futur ne rrjetin e ardhshëm të ‘Natura 2000′ nga ekspertët.

Dëme në bletari

Zjarret në Pishë Poro kanë ndikuar negativisht dhe blertarët e Fierit, të cilët raportuan rënie drastike të prodhimit të mjaltit. Më të prekur janë bletërritësit pranë masivit pyjor dhe në zonat bregdetare. Fran Radi bletërritës prej 30 vitesh tha për BIRN se nga një ton mjaltë që prodhonin 150 kosheret e tij me bletë, ketë sezon nxorri vetëm 100 kilogramë. Radi shpjegon se shkak kryesor ishin zjarret që dogjën bimësinë, madje edhe vetë bletët kur ndodhen në kullotë.

”U thanë bimët nga të cilat bletët merrnin nektarin, pastaj ranë zjarret gjithandej,” tha Radi, ndërsa shtoi se “shumë bletë u vranë duke mbledhur nektar”. Bletërritësi tha se prodhimi do të ndikohet edhe në vitin e ardhshëm, pasi gjysma e bimësisë në zonë është djegur. Të dhënat nga sektori veterinar në Fier konfirmojnë se prodhimi i mjaltit është ulur dhe se zjarret kanë goditur rëndë bletarinë.

”U thanë kullotat nga temperaturat e larta, ndërsa zjarret e përkeqësuan situatën”, tha Ferrik Avdia, agronom dhe shef i administrimit pyjor dhe veterinar pranë Agro Pikës në Fier. Për banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve i ndajnë vetëm disa dhjetëra metra nga pylli, zjarri i këtij viti ishte më i madhi që nga viti 2013. “Pothuajse çdo vit digjet nga një sipërfaqje e vogël,” tha Neki Tafa, kryeplak i Darëzezës për BIRN, ndërsa shtoi se në 2013-ën ishte “zjarr edhe më i madh se ky tani”. “Ne nuk prekemi direkt, por na vjen keq për këtë pasuri që digjet”, nënvizoi ai.

Zjarrëfikësit pa mjete

Ndërsa aktivistët e mjedisit ankohen për humbjen e biodiversitetit, masat për të përballuar zjarrje të ngjashme mungojnë në bashkinë e Fierit. Shefi Shërbimit Zjarrfikës në Fier, Zija Hyka i tha BIRN se nëse do të ishin të kompletuar me pajisje, mjete dhe efektivë shtesë, zjarri do të ishte shuar më shpejt, madje pa pasur nevojën e avionëve nga Greqia. “Na duhen automjete të vogla si fuoristradat zjarrfikëse të cilat mund të depërtojnë lehtësisht në zona si kjo,” tha ai. “Nëse do t’i kishim, koha e shuarjes së zjarrit këtu nuk do ishte kaq e gjatë”, shtoi Hyka. Prefekti Shehaj shpjegoi se veç mjeteve për zjarrëfikësit kujdesi për pyjet duhet të jetë i përhershëm, duke mbajtur hapur rrugë për zjarrëfikësit që krijojnë mundësinë e ndërhyrjes së shpejtë. “Dikur pylli kishte rrugë kalimi që në rast zjarri automjetet zjarrfikës depërtonin në brendësi për të shuar flakët,” shpjegoi ai.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME