Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka propozuar zgjerimin e listës së lëndëve psikotrope, me lëndë të tjera që janë të pranishme e kanë nisur të përdoren në raste të caktuara nga të rinjtë edhe në vendin tonë.
“Shqipëria nuk është vend prodhues apo përdorues i këtyre lëndëve. Por sasitë e kapura në raste të caktuara gjatë verës tregojnë një prirje që të rinjtë mund t’i përdorin në vijim. Në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla ne kemi patur rezultate kundër shpërndarjes së narkotikëve. Por edhe më efektive do jetë nëse krijojmë barriera të forta. Të bëhemi të gjithë bashkë, të majtë, të djathtë, shumicë e pakicë, pasi shoqëria na mirëpret duke forcuar bazën ligjore”, deklaroi Balla ditën e sotme në Komisionin e Shëndetësisë.