Policia gjermane ka dhënë detaje për një aksident të rëndë që ndodhi të hënën në një kantier ndërtimi në HafenCity të Hamburgut në Gjermani. Nga rrëzimi i një skele masive kanë humbur jetën 4 persona ndërsa 1 tjetër ka mbetur të plagosur. Policia tha se 3 nga viktimat janë shqiptarë, por pa dhënë identitetin e tyre.
Njëri nga punëtorët e ndërtimit është ende poshtë rrënojave për shkak se nuk është gjetur poshtë blloqeve të betonit dhe skelave prej hekuri. BILD shkruan se operacionet e kërkimit nisën që herët mëngjesin e së martës për të vazhduar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës kur një skelë u shemb që prej katit të 8-të të ndërtesës në vendin e përcaktuar për ashensorin. 3 nga viktimat u nxorën menjëherë. Në gjendje të rëndë është në spital edhe një punëtor tjetër, gjithashtu shqiptar.
Fillimisht u tha se viktimat dhe i plagosuri ishin bullgarë, por policia bëri më pas korrigjimin duke saktësuar se ata janë shqiptarë. Hetuesit nuk kanë dhënë ende një shkak për ngjarjen. Nga të dhënat fillestare besohet se skela nuk ishte fiksuar siç duhet. Gjatë rrëzimit, skela ka marrë me vete edhe rreth 80 blloqe betoni duke vështirësuar kërkimin.