Këshilli i Evropës publikoi të enjten një raport sipas të cilit dështimi në përballjen me krimet e luftës të kryera në ish Jugosllavi gjatë viteve të ’90-ta, po rrezikon paqen në rajon. Raporti thekson se kur kanë kaluar thuajse tri dekada nga përfundimi i luftërave që copëtuan rajonin e ish-Jugosllavisë, pajtimi mbetet i paarritshëm.
“Ka hapa pas në proceset e përballjes me të shkuarën dhe kjo përkon me rënien në shkallë më të gjerë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në disa vende të rajonit”, thuhet në raport. Llogaridhënia për krimet e luftës është larg të qenit e plotë, thekson raporti, “ndonëse në rajon ka pasur përpjekje të shumëfishta për të siguruar llogaridhënien penale, përfshirë një gjykatë plotësisht ndërkombëtare për krimet, gjykime të brendshme për krimet e luftës si dhe mekanizma të ndërkombëtarizuar ose hibridë të llogaridhënies”.
Përpjekjet për llogaridhënie mbi krimet e luftës, siç thekson raporti, po dëmtohen nga “klima e aktuale e mohimit të krimeve të luftës dhe e glorifikimit të kriminelëve të luftës”, si dhe nga mungesa e bashkëpunimit gjyqësor mes disa prej vendeve, përfshirë refuzimet e vazhdueshme nga këto shtete për të ekstraduar shtetasit e tyre, të cilët vazhdojne të gëzojnë pandëshkueshmëri.
“Ka një prirje alarmante drejt diskursit etno-nacionalist, mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, çka dobëson përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën. Është shqetësuese që praktika të tilla pranohen dhe ndiqen në mënyrë aktive nga politikanë në nivelet më të larta të politikës dhe që kthehen në strategji për të mbledhur vota dhe për të qëndruar në pushtet”, thuhet në raport, ku ndër të tjera nënvizohet se grupet nacionaliste të ekstremit të djathtë “kontribuojnë në këtë diskurs, duke gëzuar mbështetjen nga lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare që i bënë ato faktor serioz rreziku për të minuar përpjekjet për të parandaluar përsëritjen e dhunës”.