Një 17-vjeçar shqiptar është vetëdorëzuar në policinë gjermane duke pranuar se kishte vrarë më plumb në kokë një person në Kaltenkirchen. Mediat gjermane raportojnë se i mituri, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur është dorëzuar në stacionin e policisë bashkë më avokatin e tij, për të rrëfyer krimin.
Vetë shqiptari i çoi oficerët e policisë në orën 2:41 të mëngjesit të së shtunës së 25 nëntorit, pranë zonës ku kishte kryer krimin. Aty u gjet trupi i viktimës, i ekzekutuar me një plumb në kokë, në një zonë të vogël pyjore pranë një banje termale.
I riu shqiptar doli para një gjyqtari të dielën më 26 nëntor, ku nuk ka dhënë asnjë detaj mbi krimin dhe motivet që e çuan në këtë akt. Autoritetet kanë ngritur një akuzë për vrasje nga pakujdesia. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar më tepër për ngjarjen. Mjekët ligjorë besojnë se ngjarja ka ndodhur mes të martës dhe të premtes. Gjithashtu është e paqartë nëse vendi ku është gjetur trupi është edhe vendi i krimit.
Ka të dhëna se i panjohuri mund të jetë vrarë në zonën e qendrës së qytetit dhe më pas është dërguar aty. “Bild” raporton se i vdekuri dhe 17-vjeçari shqiptar ndoshta kanë pasur një mosmarrëveshje për pazaret e drogës. Deri më tani, shqiptari, i cili nuk ka vendbanim të përhershëm në Gjermani, thuhet se ka qenë person pa precedent të mëparshëm penal.