Eliminim i bujshëm i Manchester United që në fazën e grupeve, edhe pse tashmë ishte kuptuar që vetëm një mrekulli do ti bënte punë. Anglezët mundën në shtëpi nga Bayern Munich, ndërsa shkon në 1/8 Copenhagen që mposhti Galatasaray. Inter nuk arrin të fitojë në San Siro përballë Real Sociedad dhe mbetet i dyti, pa favorin e shortit në fazën me eliminim direkt.
GRUPI A
Manchester United i dha lamtumirën Evropës në mënyrën më të keqe të mundshme. Fishkëllima në Old Trafford për humbjen kundër Bayern Munich, që dënoi Red Devils me vendin e fundit, me vetëm katër pikë nga gjashtë ndeshje. Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me gjermanët pranë golit me Kane dhe Musiala, por në pjesën e dytë ishin djemtë e ten Hag që shtynë. Bruno Fernandes iu afrua golit në tre raste, para episodit që vendosi ndeshjen. Kane shërbeu për Coman dhe francezi shënoi golin që e shembi United. Ish-lojtari i Tottenham u shpall lojtari i ndeshjes, ndërsa Bayern e mbylli Grupin A me 16 pikë.
Asgjë për të bërë për Galatasaray, që kërkonte suksesin në ndeshjen tjetër të grupit. Në transfertën e Copenhagen turqit sulmuan, por nuk arrijtën të depërtonin në pjesën e parë dhe u fundosën në të dytën. Golin vendimtar e shënoi ish-lojtari i Genoa, Lerager, i cili realizoi nga dy hapa pas asistit të Achouri. Tentativat e fundit të Galatasaray, me Mertens shumë pranë barazimit, nuk e ndryshuan rezultatin. Janë danezët ata që kualifikohen në 1/8 dhe i gëzohen një suksesi të bujshëm. Vendi i dytë, me tetë pikë, shkon për Grabara dhe shokët e tij. Icardi dhe turqit do të luajnë playoff-in e Europa League, me United jashtë çdo gjëje.
GRUPI C
Real Madrid u përball me ndeshjen e fundit të grupit C me të vetmin objektiv: të fitonte. Suksesi do ti lejonte Blancos të bënin gjashtë nga gjashtë ndeshje në grup për herë të parë në nëntë vjet. Merengues e arritën me më shumë vështirësi sesa pritej, ndaj një Union Berlin që e shiti shtrenjtë lekurën. Gjermanët u dorëzuan 3-2 në ndeshjen e fundit në Champions League. Joselu goditi traversën e në fund të pjesës së parë Rønnow shpëtoi një penallti ndaj Modric (45′), por avantazhin e mori Union. Berlinezët shfrytëzuan një gabim të Alaba për të marrë epërsinë në shtesën e të parës (46′). Përmbysja erdhi në të dytën, kur Joselu shënoi dy gola me kokë (61′ dhe 72′). Union nuk u dorëzua, duke barazuar me të majtën e Kral në minutën e 85, por u fundos tre minuta më vonë me goditjen e Ceballos të devijuar nga Roussillon. Real Madrid përfundoi me 18 pikë përpara Napolit (10), Braga në Europa League dhe Union Berlin jashtë çdo gjëje.
Napolit i nevojitej një fitore për t’u zhbllokuar pas humbjeve të fundit dhe për të shmangur çdo dhimbje zemre në garën për në fazën e 1/8 të Champions. Skuadra e teknikut Mazzarri realizoi detyrën dhe mposhti 2-0 Sporting Braga. Portugezët në fakt shmangu një humbje më të rëndë vetëm falë pritjeve të Matheus. Autogoli i Saatçı (9′) hapi rezultatin, më pas Osimhen (33′) siguroi rezultatin. Napoli është i dyti pas Real Madrid, që bëri gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje.
GRUPI D
Barazimi “i hidhur” për Inter në Champions League në prag të shortit për fazën e 1/8. Në ndeshjen e fundit të Grupit D, skuadra e Simone Inzaghi nuk shkoi përtej barazimit 0-0 me Real Sociedad dhe e mbylli grupin në vendin e dytë pas spanjollëve në golavarazh. Në Meazza në pjesën e parë, lojtarët e Alguacilit dominuan zotërimin e topit, por ishte Inter që krijoi aksionet më të rrezikshme me Thuram, Mkhitaryan dhe Dimarco. Në pjesën e dytë zikaltërit tentuan të rrisin ritmin dhe ta shkundin ndeshjen me zëvendësimet. Sidoqoftë, takimi mbeti i ekuilibruar dhe rezultati nuk ndryshoi. Rasti i fundi i Lautaro, që e dërgoi topin jashtë në kohën shtesë dënon teknikun Inzaghi me një short të frikshëm.
Benfica i jep vetes një kënaqësi të papritur. Në ndeshjen e fundit, pas një fushate për tu harruar në grup, portugezët fituan 1-3 në transfertë me Salzburg, duke marrë vendin e tretë. 4 pikë për Benfica, sa dhe austriakët, por diferencën e bëri ndeshja direkte. Kështu, portugezët shkojnë në Europa League dhe lënë Salzburg jashtë cdo gjëje.
Champions League Group A
FC Copenhagen 1-0 Galatasaray
Manchester United 0-1 Bayern Munich
Champions League Group B
Lens 2-1 Sevilla
PSV Eindhoven 1-1 Arsenal
Champions League Group C
Napoli 2-0 SC Braga
Union Berlin 2-3 Real Madrid
Champions League Group D
FC Salzburg 1-3 Benfica
Inter 0-0 Real Sociedad