Çmimet e naftës në vend janë ulur me rreth 10 lekë për litër në dy lëvizje përgjatë javëve të fundit. Aktualisht nafta po tregtohet me 183-189 lekë, nga gati 200 lekë për litër që kishte arritur më parë.
Fillimisht çmimet ranë me 4-5 lekë për litër rreth dy javë më parë, ndërsa ditët e fundit janë reduktuar edhe me 5 lekë për litër.
Kjo është hera e parë që çmimet e karburanteve kanë tendencë uljeje në vend, që nga muaji maj, kur çmimet u rritën disa herë radhazi, nga niveli më i ulët në mëse një vit prej rreth 170 lekësh, që u arrit në atë kohë.
Në qerhor 2023 u shfuqizua Bordi që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve, i cili ishte krijuar që në mars 2022, kur çmimet e karburanteve u rritën me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke arritur në tregun vendas deri në rekordin e 245 lekë për litër në prill 2022.
Që nga shfuqizimi i Bordi, çmimet u rritën disa herë në vend, pas reflektuar asnjë ulje, ndonëse në bursa kishin tendencnë ulje-ngritje. Kjo është hera e parë që operatorët po reduktojnë çmimet e karburanteve.
Në bursat ndërkombëtare çmimet kanë rënë ndjeshëm nga 95 dolarë për fuçi, që arritën në mes të shtatorit, në rreth 75 dollarë për fuçi aktualisht. Çmimet në bursa kanë rënë në nivelin më të ulët të 6 muajve të fundit, si rrjedhojë e shqetësimeve për nivelin e lartë të prodhimit si dhe rënies së kërkesës së konsumatorëve nga çmimet ende të larta.
Sipas parashikimeve të hershme, edhe kërkesa globale për naftë pritet që të jetë e dobët përgjatë viti 2024.
Administrata e Informacionit të Energjisë së SHBA-së (EIA) uli parashikimin e saj të çmimit për vitin 2024 për naftën bruto Brent (treguesi referencë i naftës europiane) me 10 dollarë për fuçi. Brent do të luhatet mesatarisht 83 dollarë për fuçi, parashikoi administrata në një raport mujor, kundrejt një vlerësimi të publikuar muajin e kaluar prej 93 dollar’s për fuçi./ Monitor