Komisioni Europian ka miratuar një agjendë të re rritje për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në periudhën 2024-2027 me financime rreth 6 miliardë euro, por një material i detajuar i Komisionit thekson se, përftimi i mjeteve monetare do të bëhet kundrejt disa kushteve të rrepta për vendet.
Vendet e Ballkanit, në proces anëtarësimi ku bën pjesë edhe Shqipëria do të mund të marrin paratë vetëm pasi të arritur disa tregues sasiore. Sipas Komisionit Europian Axhenda e Reformës do të identifikojë një grup të kufizuar reformash prioritare të cilat do të shërbejnë si kushte pagese, pra me arritjen e tyre do të disbursohen fondet sipas një afati kohor të paracaktuar.
Komisioni sqaron se kushtet e pagesës do të lidhen me reforma specifike socio-ekonomike për të çuar para potencialin e rritjes dhe reformat specifike që lidhen me bazat e procesit të zgjerimit, duke përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore.
Si kushte për tërheqjen e fondeve nga BE do të jetë stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit që duhet të plotësohen për çdo disbursim të fondeve.
Një tjetër parakusht është që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë te të gjitha detyrimeve të tyre përkatëse që rrjedhin nga të gjitha Marrëveshjet e Dialogut.
Bëhet fjalë për rreth 6 miliardë periudhën 2024-2027, ku deri në 2 miliardë euro janë grande dhe deri në 4 miliardë euro kredi ose si financim i investimeve kapitale nëpërmjet Kornizës së investimeve dhe kredive për Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Komisioni Europian vuri në dukje se do të prezantohet një kushtëzim i fortë nga krijimi i një mekanizmi pagese i bazuar në arritjet e reformave kryesore duke marrë parasysh rekomandimet nga Paketa e fundit e Zgjerimit të Komisionit.
Dokumenti i KE vlerëson se do të ketë rregulla më të rrepta për fondet e IPA. Por Shqipëria është e penalizuar tashmë nga një pjesë e tyre, pasi janë bllokuar fondet nga Programet IPARD që Bashkimi Europian ka dhënë për të rritur konkurrencën në sektorin bujqësor.
Ngrirja e fondeve përfshin një shumë 112 milionë euro që BE miratoi për IPARD III, e cila do zbatohej gjatë periudhës 2021-2027. Me gjithë bashkëfinancimin e qeverisë shqiptare, IPARD III ishte 146 milionë euro, të cilat mund t’i mungojnë bujqësisë sektorit më të madh në vend.
Në fondet IPARD III, ishin programuar për tu disbursuar në Shqipëri 8 milionë euro më 2021, 10 mln euro më 2022, rreth 12 milionë euro këtë vit, 16 mln më 2024, rreth 19 mln të tjera në 2025, teksa 25 milionë ishin programuar më 2026 dhe kësti i fundit 24 mln euro më 2027./ Monitor