Lajme të mira në këtë fillim të vitit 2024 për teknikun Sylvinho dhe kombëtaren e Shqipërisë. Në seancën e parë stërvitore në Trigoria të Romës është shfaqur edhe Marash Kumbulla. I dëmtuar rëndë në ndeshjen Roma-Milan, qendërmbrojtësi verdhekuq nuk luan në fushat e blerta që në muajin maj. Një mungesë që e ka ndjerë edhe tekniku brazilian i kuqezinjve. Tani Kumbulla ka gjashtë muaj për të fituar një vend titullar te Roma, duke parë emergjencën difensive të Mourinhos dhe një vend në seleksionin shqiptar në Euro 2024.
Verdhekuqtë janë kthyer të punojnë në ditën e parë të vitit 2024 për të përgatitur sfidën e të mërkurës në mbrëmje, në Olimpico, kundër Cremonese. Prezentë kanë qenë edhe të munguarit për një kohë të gjatë Renato Sanches e Kumbulla. Ende jashtë Smalling, Abraham përveç Aouar e Ndicka të grumbulluar për Kupën e Afrikës.
Primo allenamento del 2024 💪#ASRoma pic.twitter.com/WwudtGzGhS
— AS Roma (@OfficialASRoma) January 1, 2024
Kundër Milan mbrojtësi i kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim kompleks në krucialin e përparmë të gjurit të djathtë. Kumbulla u largua nga fusha pas një çerek ore lojë, për shkak të një përplasjeje të rëndë loje. Dëmtimi, ashtu si u mendua që në fillim, ishte shumë i rëndë. U kuptua që kur Marash Kumbulla doli nga fusha në lot. Britmat e tij lanë të kuptohej se ishte serioze dhe pas kontrollit të parë, rezultoi e vërtetë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare kishte pësuar një çarje të kruciatit të përparmë në gjurin e djathtë. Konfirmimi erdhi nga raporti mjekësor pas kontrolleve të kryera nga mbrojtësi i Romës.