Fier – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Shisnin kokainë e kanabis në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit, evidentohen, kapen dhe arrestohen në flagrancë 4 shtetas.
Sekuestrohen dhjetra doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje, 3 peshore elektronike dhe 4 celularë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacion se 4 shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në lagjen “Apollonia”, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit Mirel Saliaj 33 vjeç, Enri Zadrima 39 vjeç, Fadil Shehu 34 vjeç, dhe Miklodjan Çuko 41 vjeç, të katërt banues në Fier .
Gjatë kontrollit personal dhe më pas në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhjetra doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë gati për shitje.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në qëndër të qytetit, në afërsi të lumit Gjanica.
Lënda narkotike, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.