Në intervistën që ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj dha për inceneratorët u pyet edhe për çështjen e Ekoparkut në Durrës. Ahmetaj tha se pas tij janë njerëz të afërt të Ramës.
“Pse një privat e ka bërë këtë projekt përpara se të shpallej nga kryeministri. Pse në këtë projekt është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit. Pse nuk e ka bërë institucioni publik, pse u shpall më pas, në fillim u bë si projekt privat dhe pastaj u shpall publikisht dhe e morën njerëz të lidhur me atë që kishin bërë projektin.
E morën zbatimin e projektit ata që e kishin bërë. Pse u bë pa tender. Pse nuk u nxor një urdhër për rindërtimin, njerëzit ishin jashtë, që të bëheshin pa tender, pse. A kishte më emergjencë? Jo. Pse plehrat dhe ekoparku duheshin bërë pa tender. Pse budalla ka qenë Alqi Bllako që nuk e firmosi” – tha Ahmetaj në Syri TV.
Për ndërtimin e “Eco Park” në Porto Romano, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar si të implikuar Rea Xhillarin, vajzën e Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Rama. Berisha tha se janë zhdukur 12 milionë euro, që sipas tij përgjigjen e di vetëm kryeministri Edi Rama.
“Klodian Zoto dhe thjeshtra, i vjedhin ëndrrën Edi Ramës dhe bëjnë një projekt për Eko Parkun e Porto Romanos, muaj përpara se të zgjohej Rama me sihariqin se në Porto Romano do ndërtojmë një Eko Park. Shpall se do të ndërtojë Eko Parkun me iniciativë private. Bëhet tenderi, marrin pjesë 4 kompani serioze. Anulohet tenderi 3 ditë përpara mbylljes së afatit. Preteksti i tërmetit.
Tre ditë më vonë, apo pesë ditë më vonë, lidhet kontrata me negociata të mbyllura, pa tender. Se ishte pazari. Se duhet të ndajnë paratë. 19 milionë euro. Denis Ymeri, një sipërmarrës shumë i fuqishëm, kishte timonin e Stela Gugalles, thotë se unë e bëj këtë për 6 milionë. Se ku fluturuan 12 milionë, atë e di Edi Rama” – tha Berisha në atë kohë.