Eurodeputeti i zgjedhur, Fredi Beleri do të qëndrojë në qeli deri në tetor, pasi Apeli i GJKKO la në fuqi dënimin me dy vite burg.
Mediat greke shkruajnë se Beleri nuk do të mund të jetë i pranishëm në Strasburg në korrik për të bërë betimin e tij.
Në një interviste për “CNN Greece”, Beleri ka paralajmëruar se cështjen do ta cojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe se nga tani e tutje problemin do ta ketë kryeministri Edi Rama.
“Në çdo vend europian dhe në çdo sistem gjyqësor që funksiononte sipas rregullave të shtetit të së drejtës, lirimi im do të ishte një rrugë njëkahëshe pavarësisht zgjedhjes sime apo jo. Rama do ta ketë problemin tani e tutje”, theksoi ai.
Beleri shton se kryeministri i Shqipërisë ka vepruar si një puçist i zakonshëm, duke shtuar se ai ka duruar shumë padrejtësi dhe do të durojë edhe për disa javë të tjera nëse do të jetë e nevojshme.
“Rama veproi si një puçist i zakonshëm. Kam duruar kaq shumë muaj pavarësisht padrejtësisë dhe grushtit të shtetit kundër meje. Do të duroj edhe disa javë nëse është e nevojshme”, vëren eurodeputeti i zgjedhur nga PD, duke theksuar se ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për çështjen e tij “dhe pastaj disa nuk do të dinë ku të fshihen”.
Në të njëjtën intervistë Beleri vlerëson se si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i interesuar që vendi i tij t’i bashkohet familjes evropiane “vetëm me fjalë”. “Megjithatë, në veprime, ajo që po bën e largon Shqipërinë nga Europa. Një perspektivë evropiane duke anashkaluar shtetin e së drejtës siç ka ndodhur në rastin tim nuk ekziston”, përfundon ai.