Kodet numerike të telefonit “Sky Ecc”, pritet të kthehen në gropën më të madhe juridike ndaj Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij që dyshohet se janë përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.
Laert Haxhiu pak ditë më parë u ekstradua nga Greqia, ndërsa në këtë shtet vijon të jetë anëtari i grupit të tij, Firdeus Berberi.
Së fundmi, Prokuroria e Posaçme SPAK, ka kërkuar nga autoritet e Franceze dhe Belge, kodet “SKY” që besohet se janë përdorur nga Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Arapi dhe persona të tjerë që dyshohet se kanë kryer veprimtari kriminale me Haxhiun.
Mbërritja e kodeve me përmbajtjen e bisedave do mund t’i jepte akses të pakufizuar Prokurorisë së Posaçme për të depërtuar brenda komunikimeve të grupit të Laert Haxhiut.
“Ora News” ka mësuar se një pjesë të kodeve “Sky” i ka treguar dhe bashkëpunëtori i SPAK-ut, Artan Tafani.
Përmes dëshmisë së Tafanit, fillimisht ishte prokuroria e Elbasanit që lëshoi 16 urdhra-ndalimi, për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut, 13 nga të cilët u ekzekutuan dhe 3 persona të tjerë u shpallën në kërkim ndërkombëtar.
Laert Haxhiu, aktualisht ndodhet i izoluar në burgun e sigurisë së lartë Nr. 313 ku pritet të përballet me akuzat e rënda që e presin në SPAK.