Policia e Durrësit ka vënë në pranga 47 vjeçarin Dodë Rica, pasi akuzohet nga Kosova për trafik të qenieve njerëzore. 47-vjeçari, i lindur në Mirditë rezulton të jetë pronari i rrjetit të klubeve të natës në Shqipëri dhe Kosovë, “Strip Club Shqiponja”.
Pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja” që prej vitit 2019 ka qenë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra të ndryshme penale, përfshirë atë të shmangies së tatimeve.
Nga viti 2017 deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Shqiponja Strip Club”, Dodë Rica dyshohej se ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 36 mijë e 389 euro dhe u vu në hetim.
Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë.
“Gjatë periudhës kohore 02.11.2017 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me seli në rrugën “Konjuhi” në Graçanicë, i pandehuri i lartcekur, me qellim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, që parashihet sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, duke dhënë shënime të pavërteta lidhur me te ardhurat e bizneseve të tij “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumës së përgjithshme 36,389.24 euro, në emër të biznesit të lartcekur”, thuhej në dosjen e Ricës të publikuar dy vite më parë nga Gazeta Insajder.
Rica, u arrestua së fundmi në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar, Durrësit, me qëllimin ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar ndaj këtij shtetasi më herët masën “arrest në burg” pasi akuzohet për veprën penale “Trafikim personash”.