Breshëri rrënon mundin e 400 fermerëve në Mallakastër, asnjë dëmshpërblim në horizont! (Video)

Mallakastër – Rreshjet e dendura të breshërit këtë fundjavë kanë shkaktuar dëme të mëdha në frutikulturë në zonën e Mallakastrës. Afro 400 fermerë nga fshatrat Selitë, Gjerbës dhe Kapaj raportojnë se punën dhe investimin e tyre disa mujor e ka përpirë stuhia.
Pamjet e paradites të së shtunës tregojnë rrush të shkulur, lastarë të thyer e ullinj të rënë përtokë. Breshëri i fortë ka shkatërruar kryesisht sipërfaqet me ullinj dhe vreshta, dy kulturat bujqësore më të përhapura në këtë zonë. (Pamje vesha rrushi pertoke me lastare dege hardhie dhe kokrra ulliri)
Në këto toka të lodhura nga duart e fermerëve, breshëri nuk la asnjë mëshirë. Çdo kokërr rrushi apo ulliri që duhej të shndërrohej në të ardhura, sot është shndërruar në humbje.






Banorët shprehen të dëshpëruar. Ata thonë se kjo nuk është hera e parë që përballen me fatkeqësi natyrore, por shteti nuk ka ndërhyrë asnjëherë për t’i ndihmuar.
“Ullinjtë janë goditur në kokërr. S’mund të përdoren më as për vaj, as për konsum. Na shkoi djersa kot. Çdo vit i njëjti problem, por asnjëherë nuk kemi marrë dëmshpërblim.”
Fermerët shprehen se nuk kanë njoftuar as bashkinë e as drejtorinë e bujqësisë, pasi sipas tyre ngritja e komisioneve të verifikimit është thjesht një procedurë pa fund dhe pa rezultat.






“S’i kemi njoftuar fare institucionet. Pse ta bëjmë? Nuk kemi marrë asnjëherë asgjë. Vetëm premtojnë nëpër fushata.”
Pasojat e këtij fenomeni nuk janë vetëm ekonomike. Mungesa e ndihmës dhe mbështetjes institucionale ka krijuar një klimë mosbesimi dhe indiference tek fermerët, të cilët ndihen të braktisur.
Në këto kushte, dëmet e breshërit nuk janë vetëm plagë në tokë, por edhe në shpirtin e një komuniteti që jeton prej bujqësisë, por nuk dëgjohet prej askujt.











