SHËNDETTOP-NEWS

Ethet e Nilit në Shqipëri, pacienti mbahet në karantinë

Një rast i Etheve të Nilit Perëndimor është konfirmuar në Korçë, te një 72-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Korçës. Sipas të dhënave paraprake, i moshuari, banues në qytetin e Korçës, ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të kohës në një lulishte, ku dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë bartëse e virusit. Pas shfaqjes së simptomave dhe kryerjes së analizave, rezultati ka konfirmuar infektimin.

Personat e afërt me 72-vjeçarin janë gjithashtu testuar, por deri tani të gjitha analizat kanë rezultuar negative. Ky mbetet rasti i vetëm i konfirmuar deri më tani në zonë. Pas konfirmimit të rastit, pritet që specialistë të kryejnë dezinfektimin e zonës ku dyshohet se ka ndodhur pickimi. Ndërkohë, epidemiologë të Institutit të Shëndetit Publik po kryejnë verifikime në qarkun e Korçës për të evidentuar praninë e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në shumicën e rasteve infeksioni mund të mos shkaktojë simptoma, por kur ato shfaqen mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera dhe të vjella. Në raste të rënda, virusi mund të shkaktojë komplikacione neurologjike.

Mjekët e familjes në Korçë janë orientuar që të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj pacientëve me simptoma të dyshimta dhe të raportojnë rastet përkatëse për ndjekje të mëtejshme. Autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo nëse virusi qarkullon edhe në zona të tjera të qarkut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button