AKTUALITETTOP-NEWS

EMRAT/ Nuk arkëtuan 40 milionë lekë nga parkimi nëntokësor/ Ja për çfarë akuzohen.

Fier – Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me operacionin policor të raportuar më herët në qytetin e Fierit.

Sipas policisë së shtetit, pas një hetimi disa mujor të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, është finalizuar operacioni i koduar “Parking”, që çoi në masa të shumta sigurie ndaj zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë Fier dhe administratës tatimore.

Në fokus të hetimeve ishte mosarkëtimi i rreth 40 milionë lekëve nga parkimi nëntokësor në qytet, për shkak të mospajisjes me kasë fiskale dhe favorizimit të subjekteve tregtare, përmes uljes së padrejtë të taksave.

Në kuadër të këtij operacioni tij u ekzekutuan masat e sigurisë ndaj  Adela Hysenaj, Anisa Cjapi, Martin Dodi, Vasil Çeku.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button