Vajza mbyt babain me tel në Fier dhe e raporton si aksident! Me nënën tentuan të fshijnë gjurmët e krimit

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Fier, ku një 26-vjeçare dyshohet se ka vrarë babanë e saj me tel dhe më pas ka inskenuar gjithçka si një aksident. Policia ka arrestuar vajzën, ndërsa nëna e saj është shoqëruar pasi dyshohet për bashkëpunim në fshehjen e krimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të datës 23 korrik, në fshatin Frashër të Fierit.
26 vjeçarja Emanilda Rama, njoftoi Policinë se i ati, Anesti Rama, 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht në banesën e tyre. Por hetimet e para të Policisë ngritën dyshime serioze se rrethanat e vdekjes nuk përputheshin me një ngjarje aksidentale dhe arritën të zbardhin dinamika e ngjarjes.
Sipas Policisë, vajza kishte mbytur babanë e saj me tel dhe më pas, së bashku me nënën, shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të fshijnë gjurmët e krimit duke pastruar trupin e viktimës.
Nuk dihet ende shkaku që çoi vajzën të kryente këtë krim të rëndë në orët e vona të natës, si dhe dinamika e vrasjes. Policia arrestoi të renë ndërsa shoqëroi të ëmën në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, e vijojnë hetimet për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj.
Njoftimi i policisë
Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.









