TECH

A ka ende shpresë për internetin?

Nga Aarushi Bhandari

Në vitin 2001, teoricienja sociale Bell Hooks paralajmëroi për rreziqet e një epoke pa dashuri. Në librin e saj All About Love: New Visions, ajo shprehu keqardhjen për “mungesën e një debati publik të vazhdueshëm … rreth praktikës së dashurisë në kulturën dhe jetën tonë.”

Në atë kohë, interneti ndodhej në një udhëkryq. Rënia e tregut të kompanive dot-com kishte falimentuar shumë ndërmarrje të hershme të teknologjisë, dhe disa pyesnin nëse interneti kishte ndonjë të ardhme.

Këto dyshime rezultuan të pabaza. Brenda pak dekadash, interneti u bashkua me trupat tanë përmes telefonave inteligjentë dhe eksploroi personalitetet tona nëpërmjet algoritmeve që na njohin më mirë se disa nga miqtë tanë më të ngushtë. Madje ka ndërtuar edhe një botë shoqërore dytësore.

Megjithatë, ndërsa interneti është bërë gjithnjë më i integruar në jetën tonë të përditshme, pak njerëz do ta përshkruanin si një vend dashurie, dhembshurie apo bashkëpunimi. Studim pas studimi tregojnë se platformat e rrjeteve sociale nxisin ndarjen dhe shkëputjen, pjesërisht sepse shumë algoritme shpërblejnë sjellje si ngacmimi, bullizmi dixhital dhe zemërimi.

A është vendi i internetit në historinë njerëzore i vulosur si lajmëtar i dëshpërimit? Apo ka ende shpresë për një internet që mbështet mirëqenien kolektive?

Algoritmet dhe tjetërsimi

Këtyre pyetjeve u përgjigjem në librin tim të ri, Attention and Alienation.

Në të shpjegoj se si fitimet e kompanive të rrjeteve sociale varen nga investimi i përdoruesve: koha, krijimtaria dhe emocionet e tyre. Qoftë duke kaluar orë të tëra duke filmuar përmbajtje për TikTok apo disa minuta duke shkruar një koment të menduar në Reddit, pjesëmarrja në këto platforma kërkon përpjekje. Dhe mund të jetë rraskapitëse.

Edhe angazhimi pasiv, si kalimi i pafund i faqeve apo thjesht të qenit spektator në forume, konsumon kohë. Mund të duket si argëtim falas, derisa njerëzit kuptojnë se ata janë produkti, me të dhënat e tyre që grumbullohen dhe emocionet që manipulohen.

Blogeri, gazetari dhe autori i fantashkencës Cory Doctorow krijoi termin “enshittification” për të përshkruar si përkeqësohen përvojat në platforma online me kalimin e kohës, ndërsa kompanitë shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë të dhënat e përdoruesve dhe rregullojnë algoritmet për të maksimizuar fitimet.

Për këto arsye, shumë nga koha që njerëzit kalojnë në internet përfshin përballjen me ndërveprime toksike ose kalimin e pandërprerë të lajmeve negative, të zhytur në cikle reagimesh të drejtuara nga dopamina.

Ky cikël nuk është as aksidental, as zbulim i ri. Urrejtja dhe problemet e shëndetit mendor përhapen në këtë kulturë sepse dashuria dhe shërimi duket se janë të papajtueshme me fitimet.

Kujdesi që fshihet ditën për diell

Në librin e tij të vitit 2009 Envisioning Real Utopias, sociologu i ndjerë Erik Olin Wright diskuton vende që i japin prioritet bashkëpunimit, kujdesit dhe barazisë.

Ai u përqendrua kryesisht në sistemet jashtë internetit, si kooperativat në pronësi të punëtorëve. Por një nga shembujt e tij jetonte në internet: Wikipedia. Ai argumentonte se Wikipedia mishëron parimin “nga secili sipas aftësisë, për secilin sipas nevojës”, një ideal utopik i përhapur nga Karl Marksi.

Wikipedia vazhdon të lulëzojë si një burokraci vullnetare jofitimprurëse. Është një formë medieje thellësisht shoqërore, në kuptimin e vërtetë të fjalës: njerëzit ndajnë dhe kurorëzojnë njohuri në mënyrë kolektive e demokratike, falas. Ndryshe nga rrjetet sociale, shpërblimet janë vetëm kolektive.

Nuk ka pëlqime të dukshme, komente apo emoji zemërimi që pjesëmarrësit të mund t’i grumbullojnë apo ndjekin. Askush nuk humbet dhe të gjithë fitojnë, përfshirë shumicën dërrmuese të përdoruesve që e shfrytëzojnë Wikipedia-n pa kontribuar asnjëherë me punë apo para për ta mbajtur gjallë.

Ndërtimi i një bote të re dixhitale

Wikipedia është një provë që kujdesi, bashkëpunimi dhe dashuria ekzistojnë, edhe në hapësirat dixhitale, thjesht mund të mos jenë aq të dukshme.

Vitet e fundit janë bërë përpjekje për të krijuar aplikacione dhe faqe jofitimprurëse që mbrojnë të dhënat e përdoruesve. Shembuj të njohur përfshijnë Signal, një shërbim falas dhe me kod të hapur për mesazhe të menjëhershme, dhe Proton Mail, një shërbim email-i i enkriptuar.

Këto janë zhvillime të lavdërueshme. Por si mund të nxisë interneti mirëqenie të përbashkët?

Në Viral Justice: How We Grow the World We Want, sociologia Ruha Benjamin ofron një drejtim. Ajo rrëfen historinë e krijuesve të përmbajtjes me ngjyrë në TikTok, të cilët organizuan një grevë kulturore në vitin 2021. Shumë nga kërcimet virale në TikTok ishin krijuar fillimisht nga artistë me ngjyrë, të cilët pretendojnë se llogaritë e tyre ishin shtypur nga një algoritëm i njëanshëm që favorizonte influencues të bardhë.

TikTok u përgjigj ndaj lëvizjes virale #BlackTikTokStrike duke kërkuar falje dhe duke u zotuar të përfaqësojë dhe shpërblejë më mirë krijuesit me ngjyrë. Kjo grevë historike tregoi se përdorimi i rrjeteve sociale është punë, dhe se ata që e kryejnë këtë punë kanë fuqi të organizohen dhe të kërkojnë kushte të drejta dhe pagesa të ndershme.

Kjo tregoi se çdokush që përdor platforma si TikTok, X (ish-Twitter), Facebook, Instagram apo Reddit, që përfitojnë nga puna, emocionet dhe të dhënat personale të përdoruesve, mund të organizohet.

Ndërkohë, ka organizata që janë përkushtuar në ndërtimin e një interneti që promovon lulëzimin kolektiv. Sociologia Firuzeh Shokooh Valle, në librin e saj të vitit 2023 In Defense of Solidarity and Pleasure: Feminist Technopolitics in the Global South, jep shembuj të kooperativave teknologjike të drejtuara nga punëtorët. Ajo veçon bashkëpunimin Sulá Batsú në Kosta Rikë, që promovon politika për të thyer kontrollin që kanë negativiteti dhe shfrytëzimi mbi kulturën e internetit.

“Hapësirat dixhitale fuqizohen gjithnjë e më shumë nga urrejtja dhe diskriminimi,” shkruan grupi, duke shtuar se shpresojnë të krijojnë një botë online ku “gratë dhe njerëzit e gjinive e seksualiteteve të ndryshme mund të aksesojnë dhe të gëzojnë një internet të lirë dhe të hapur për të ushtruar agjencinë dhe autonominë e tyre, për të ndërtuar fuqi kolektive, për të forcuar lëvizjet dhe për të transformuar marrëdhëniet e pushtetit.

Në Los Anxheles është Chani, Inc., një kompani teknologjie që e përshkruan veten si “krenarisht” e pafinancuar nga kapitalistët e sipërmarrjes. Aplikacioni Chani kombinon praktikat e vetëdijes dhe astrologjinë me qëllimin e vetëm për të ndihmuar njerëzit. Nuk është ndërtuar për të gjeneruar varësi apo angazhim kompulsiv, kompania nuk shet të dhënat e përdoruesve dhe nuk ka seksione komentesh.

Pa komente

Si do të dukej rrjeti social nëse Wikipedia do të ishte rregulli, jo përjashtimi?

Një nga problemet më të mëdha të kulturës në internet, sipas meje, është mënyra si fshihet humaniteti i njerëzve. Njerëzit mund të shprehen lirshëm në forume publike të diskutimeve me tekst, por fjalët e tyre rrallë shoqërohen me identitetin e tyre të plotë. Persona realë fshihen pas anonimitetit të emrave të përdoruesve. Kjo nuk është ndërveprim i vërtetë njerëzor.

Në librin Attention and Alienation, argumentoj se mundësia për të takuar e bashkëvepruar me të tjerët online si qenie njerëzore të plota, tredimensionale, do të ishte një hap i madh drejt një interneti më empatik dhe bashkëpunues.

Kur isha tetë vjeç, prindërit e mi jetonin jashtë shtetit për punë. Ndonjëherë flisnim në telefon. Shpesh qaja natën, duke u lutur për të pasur një mundësi për t’i “parë nga telefoni.” Më dukej si një mundësi e mrekullueshme, si magji.

E tregova këtë histori para studentëve të mi në një moment ndjeshmërie të përbashkët. Ishte viti 2020, gjatë pandemisë së COVID-19, dhe mësimet zhvilloheshin përmes platformave të videokonferencës. Në këto klasa online, fliste një person dhe të tjerët dëgjonin.

Nuk ishte ideale, por besoj se një internet më i mirë do të promovonte pikërisht këtë formë diskutimi, njerëz që lidhen nga anë të ndryshme të botës për të ndarë plotësinë e njerëzishmërisë së tyre.

Përpjekje si ajo e Clubhouse kanë synuar këtë vizion duke krijuar forume diskutimi të bazuara në zë. Por kompania është kritikuar për politika të dyshimta ndaj privatësisë së të dhënave.

Po sikur versioni i ardhshëm i platformave publike të rrjeteve sociale të ndërtohej mbi idenë e Clubhouse? Po sikur të bashkonte njerëzit e të shfaqte jo vetëm zërat e tyre, por edhe pamjet e fytyrës në kohë reale, pa mbledhur të dhëna personale apo nxitur konflikt dhe zemërim?

Habi. Buzëqeshje. Vrenjtje. Janë këto që e bëjnë njeriun të dallueshëm nga modelet gjithnjë e më të sofistikuara të inteligjencës artificiale, si ChatGPT.

Fundja, a ka vërtet vlerë diçka që s’mund ta thuash duke parë një tjetër njeri drejt në sy? / The Conversation 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button