AKTUALITETTOP-NEWS

Patos, poliklinika e qytetit drejt mbylljes. Qytetarët: 4 mjekë për 40 mijë banorë nuk mjaftojnë.

Banorët e Bashkisë Patos në Fier vuajnë mungesën e marrjes së shërbimit të duhur shëndetësor. Sipas tyre, në poliklinikën qendrore të qytetit japin shërbim vetëm 4 pjekë, një prej të cilëve duhej të kishte dalë në pension, por që nuk i plotësojnë nevojat për 25 mijë banorët e kësaj Bashkie. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, për rritjen e personelit mjekësor

Situata në shërbimin shëndetësor në qytetin e Patos po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Poliklinika qendrore, që duhet të përballojë nevojat e një komuniteti mijëra banorësh si bashki, aktualisht funksionon me vetëm 4 mjekë, njëri prej të cilëve i është shtyrë pensioni për të mbuluar boshllëkun e krijuar.

Banorët shprehen se, megjithëse mjekët përpiqen të japin maksimumin, kjo nuk është e mjaftueshme për një bashki me rreth 20-25 mijë banorë, ndërkohë që problemi bëhet edhe më i theksuar në zonat rurale.

Një tjetër shqetësim madhor për qytetarët është mungesa e një laboratori funksional për analiza mjekësore. Për çdo ekzaminim, ata janë të detyruar të udhëtojnë drejt Fierit dhe t’i drejtohen laboratorëve privatë, duke rritur kostot dhe vështirësitë.

Por ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve pohojnë se shërbimi shëndetësor nuk është i plotë, ka edhe nga ata që e mohojnë diçka të tillë, duke thënë se shërbimi është “shumë i mirë” dhe se ka 12 mjekë që e mbulojnë situatën, deklarata që bien në kundërshtim edhe me pohimet e vetë stafit të institucionit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të shtuar numrin e mjekëve dhe për të investuar në infrastrukturën bazë shëndetësore. Sipas regjistrit të gjendjes civile bashkia Patos ka 40 mijë banorë, por nga censusi i fundit numërohen 25 mijë banorë, 15 mijë janë larguar. ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button