“Padrejtësia territoriale ndaj Mirditës”/ Banorët kërkojnë rikthimin e kufijve historikë

Në vitin 1949, regjimi komunist ndërmori një ndarje të diskutueshme territoriale ndaj krahinës së Mirditës, duke e copëzuar atë në disa njësi të tjera administrative. Në atë kohë, Fushë-Arrëzi iu kalua Pukës, Ulza Matit, Ungreji Lezhës, ndërsa Vau i Dejës Shkodrës – një vendim që konsiderohet si i paprecedentë brenda territorit shqiptar.
Pas viteve ’90, në çdo reformë territoriale të ndërmarrë, mirditorët – veçanërisht ata që mbetën jashtë kufijve të rrethit të Mirditës – kanë kërkuar korrigjimin e kësaj padrejtësie historike. Megjithatë, sipas tyre, këto kërkesa kanë rënë vazhdimisht në vesh të shurdhër.
Edhe këtë herë, ata i janë drejtuar Komisionit të Reformës Territoriale, duke kërkuar rikthimin e zonave të ndara në një njësi të vetme vendore, ashtu siç kanë funksionuar prej shekujsh.
Në një takim të zhvilluar në Bashkinë Mirditë, ku morën pjesë intelektualë, ligjvënës, përfaqësues të klerit, sipërmarrës dhe gazetarë, u theksua nevoja për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i bëri thirrje qeverisë që të marrë në konsideratë kërkesat e banorëve të kësaj treve.
Edhe Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, shprehu qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, duke mbështetur nevojën për rishikim të ndarjes territoriale.
Pas përfundimit të takimeve dhe konsultimeve me grupet e interesit në Mirditë, si dhe me komunitetet që historikisht kanë qenë pjesë e kësaj krahine, kërkesat pritet t’i adresohen zyrtarisht Komisionit të Reformës Territoriale, me synimin që të merren në konsideratë në hartimin e ndarjes së re administrative.









