AKTUALITET

Procedim penal për 19 protestues/ Policia: Nxitën bllokimin e rrugës së Rinasit

Policia e Tiranës ka shpërndarë një njoftim se ka proceduar penalisht 19 shtetas që sipas saj organizuan dhe nxitën qytetarët për të bllokuar aksin rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ditën e diel.

“Në vijim të veprimeve procedurale të kryera pas tubimit të zhvilluar më datë 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe procedimin penal të personave organizatorë dhe përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Si dhe janë sekuestruar dy automjete.

Nga veprimet hetimore rezulton se më datë 14.06.2026, rreth orës 18:00, ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë, në Tiranë. Tubimi ishte parashikuar të zhvillohej nga ora 18:00 deri në orën 22:00.

Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” – thuhet në njoftim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button