2 shqiptarë dhe një italian arrestohen me 11 kg kokainë në Torino

Skuadra mobile e Torinos arrestoi 3 persona të cilëve iu gjet mbi 11 kilogramë kokainë e cila kishte si synim shpërndarjen. Ata janë 2 shqiptarë dhe një italian të cilët dolën para gjykatës dhe u lanë në qeli.
Mediat italiane shkruajnë se nga hetimet e kryera nga policia u mësua për një marrëveshje të mundshme të shkëmbimit të drogës pranë zonës industriale të Nichelino-s. Policia organizoi një operacion mbikëqyrjeje që dha rezultate.
Disa orë më vonë, dy makina që transportonin 3 persona mbërritën, pothuajse njëkohësisht. Teksa njëra makinë ndaloi në një parking, tjetra bëri një xhiro përpara se t’i afrohej të parës. Personi i makinës së dytë doli nga automjeti me një qese najloni, iu afrua automjetit tjetër dhe, disa çaste më vonë, e vendosi çantën në makinën e tij. Në atë pikë, oficerët vendosën të ndërhynin.
Gjatë kontrollit, oficerët gjetën afërsisht 7.7 kilogramë kokainë, të ndarë në blloqe, brenda qeses prej najloni. 3.5 kilogramë të tjerë të së njëjtës drogë u gjetën brenda makinës së lënë në parkim, të fshehur në një ndarje të bërë vetë nën sediljen e pasagjerit.
Gjatë kontrollit, i cili përfshiu edhe një shtëpi fshati aty pranë, çelësin e së cilës e kishte njëri nga tre personat e arrestuar, u sekuestruan 4800 euro dhe materiale paketimi për drogë.








