AKTUALITETTOP-NEWS

Në fshatrat e Gramshit të shkrumbuar nga zjarri, banorët humbën shtëpitë!

Syri Tv ishte sot në fshatin Shimër të njësisë administrative Skënderbegas të Gramshit. Një nga 8 fshatrat e shkatërruar nga zjarri i cili ra më 11 gusht dhe u arrit të shuhej më 14 gusht 2025

Fshatrat që dikur kishin karakteristikë gjelbërimin masiv, i ngjanë një skene lufte.

Ajo çka të sheh syri përreth është e trishtë.

Auto screenshot 221755263293 (1)

 Rrënoja e pyje të djegura masivisht.  Nga shtëpitë nuk ka mbetur asgjë vetëm mure të shkatërruara.

Fshati që vitet e fundit po i gëzohej pak jetës duke përmirësuar kushtet falë dhe shitjes së livandos, tani është shkrumbuar.  

 Sipas një bilanci paraprak janë 42 banesa të djegura totalisht. Janë djegur dhe 130 krerë bagëti të imëta, 80 koshere bletësh dhe 30 kafshë pune.

Banorët që kanë humbur banesat nga flakët përkohësisht janë strehuar në konviktin shtetëror. Ata e dinë se ky strehim është i përkohshëm ndërsa e gjithë ekonomia që kishin vënë me aq mund tashmë është bërë hi prandaj sytë i kanë nga shteti.

Grupi i xhirimit i Syri TV me gazetaren Margarita Mëhillka mori në intervistë një banore të fshatit.  Me lot në sy ajo tregon se tashmë ka humbur çdo gjë.  Ende është e shokuar, ndërsa familja nuk e lë një minutë vetëm pasi kanë frikë se gruas mos i përsëritet sëmundja e tokës.  

Gruaja është skeptike për ndihmën që do u japë shteti pasi nevoja që ata kanë nuk është një drekë, as një kafe.. por shtëpia të cilën atyre iu desh mbi 10 vite ta ngrenë e tani para syve e shohin të shkrumbuar

 “Atë ditë kur ra zjarri kisha burrin në pyll. Sa shkarkuam kalin e druve, mora burrin e ika se mbi kokën.. Por nuk e dija që do të më vinte kaq dallga, tani jam në qiell të hapur. Unë këtë kisha jetesë. Unë me burrin fle në konvikt. Qeveria më jep bukë por nuk jetohet dot në konvikt. Është katastrofë. Tani që e vura jetën përpara… (Përlotet) . Unë vuaj nga sëmundja e tokës. Ja hëngre 10  ditë.. S’kam kokërr leku”

Autoritetet kanë deklaruar se të hënën do të nisin verifikimet në terren për të evidentuar dëmet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button