AKTUALITETTOP-NEWS

Ura u ndërtua, rruga jo/ Banorët: Do presim zgjedhjet e radhës që të rindërtohet një km rrugë. (Foto e video)

Fier – Një kontrast i hidhur për banorët e disa fshatrave të bashkive Patos dhe Rroskovec, ura që rrezikonte shembjen u rindërtua, por vetëm një kilometër rrugë mbeti e harruar. Dhe për këtë, banorët thonë me ironi se duhet të presin zgjedhjet e radhës.

Një kilometër rrugë që lidh Frashërin, Belinën, Marinzën, Jagodinën dhe më tej me Fierin, është sot në një gjendje të mjerueshme. Kanale të thelluara anës e përmes saj e kanë kthyer udhëtimin me automjete në një aventurë të rrezikshme. Drejtuesit e makinave detyrohen të kalojnë sa në njërën anë, sa në tjetrën, për të shmangur gropat, shpesh duke rrezikuar aksidente.

Banorët tregojnë se në zgjedhjet e fundit, autoritetet rindërtuan urën që ishte gati të shembej, por rruga mbeti po aty, e shkatërruar. “Do presim zgjedhjet e tjera, ndoshta atëherë kujtohen për këtë kilometër rrugë”, shprehen ata me ironi dhe zhgënjim.

Ky segment rrugor është ndërtuar në fillim të viteve 2010. Ai ka një rëndësi jetike, pasi lidh mbi 10 fshatra të Patosit dhe Rroskovecit me tregjet e Fierit, ku fermerët nxjerrin prodhimet e tyre bujqësore. Mirëpo, që nga ndërtimi e deri më sot, askush nuk ka vënë dorë për riparime apo mirëmbajtje.

Banorët thonë se dëmtimet më të mëdha i kanë shkaktuar automjetet e tonazhit të rëndë, që përdorin shpesh rrugën. Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk është justifikim për të lënë në harresë një segment kaq të rëndësishëm.

Më shumë se një herë, rruga e amortizuar është kthyer në burim aksidentesh. Fermerët ankohen se transporti i prodhimeve bujqësore është bërë i vështirë dhe i kushtueshëm, ndërsa banorët thonë se ndihet mungesa e plotë e përgjegjësisë së institucioneve vendore.

Ndërsa ura u rindërtua, ky kilometër rrugë mbetet plagë e hapur për banorët, të cilët presin jo më premtime, por vepra konkrete. Dhe për ironi, shumë prej tyre besojnë se “kur të afrojnë zgjedhjet e ardhshme, ndoshta kujtohen ta bëjnë.”

Burime informacioni nga Bashkia e Patosit pohojnë se janë në dieni të problemit dhe kanë planifikuar rindërtimin e saj, por presin çeljen e fondeve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button