Shteti i merr ish deputetit të PD-së Astrit Veliaj godinën e UFO-s në Fier

Pas një beteje që zgjati mbi 12 vite, qeveria ka konfiskuar godinën e ndërtuar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, në qendër të Fierit. Me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, objekti kalon në pronësi të shtetit për interes publik.
Bëhet fjalë për godinën e njohur si “UFO”, e projektuar fillimisht si universitet, por që nuk u vu kurrë në funksion. Në dokumentet zyrtare objekti përshkruhet si “9 kate + 4 kate + 2 kate nëntokë”, ndërsa thuhet se është ndërtuar pa leje.
Sipas dokumenteve, për këtë çështje ka pasur procedime penale, vendime gjyqësore dhe administrative, ku është konstatuar se Bashkia Fier nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi për kompaninë zhvilluese. Vendimi për konfiskim ishte miratuar në shtator 2025 dhe u finalizua në korrik 2026.
Pas kalimit në pronësi të shtetit, godina pritet të përdoret për strehimin e disa institucioneve shtetërore. Vendimi parashikon që, pas procedurave përkatëse, objekti të pajiset me leje dhe certifikatë përdorimi si pronë publike./JOQ









