AKTUALITETTOP-NEWS

Dita e 13 e grevës së urisë në Marinëz – grevistët të vendosur, mbështetje nga organizatat sindikaliste dhe veteranët naftëtarë (video)

Marinëz – Greva e urisë e naftëtarëve të Sindikatës së Hidrokarbureve në Marinëz ka hyrë sot në ditën e saj të 13-të, duke u kthyer në një betejë të vërtetë fizike e morale për të drejtat e punëtorëve që ndjehen të harruar nga shteti dhe institucionet përgjegjëse.

Nga 10 grevistët që e nisën këtë akt ekstrem, sot kanë mbetur 8, pasi dy prej tyre – Dorjan Dyrmishi dhe Eduard Selami – janë detyruar të largohen për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Mjekët i kanë këshilluar që të mos e vijojnë grevën, por të dy kanë bërë të qartë se vendosmëria e tyre mbetet e pandryshuar dhe se qëndrojnë shpirtërisht në krah të shokëve që vazhdojnë betejën për dinjitetin e naftëtarit.

Në ambjentet pranë godinës së sindikatës, atmosfera është e rënduar por e mbushur me solidaritet. Krahas grevistëve, sot janë bashkuar edhe përfaqësues të organizatave sindikaliste kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përfaqësues të Olof Palme International Center, një organizatë suedeze e lëvizjes sindikaliste, si dhe të Drejtësi Sociale, përmes Plejada Gugashit dhe Gentjan Sejranit, kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për kauzën e naftëtarëve.

Gjatë një deklarate për mediat, Gentjan Sejrani u shpreh:
“Kemi vënë në dijeni instancat dhe organizmat ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë shqiptare për të ndërhyrë dhe zgjidhur këtë situatë të padrejtë. Nuk mund të ketë qetësi sociale kur punëtorët detyrohen të rrezikojnë jetën për të marrë të drejtat e tyre.”

Ndërkohë, mbështetje të veçantë kanë shfaqur edhe veteranët naftëtarë, të cilët kanë ardhur sot pranë grevistëve për të dhënë zërin e tyre në këtë kauzë. Njëri prej tyre deklaroi:
“Edhe pse jemi mbështetës të kësaj qeverie, naftëtarët kanë plotësisht të drejtë. Qeveria duhet të ulet dhe të bëjë rolin e negociatorit, jo të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjes së punëtorëve.”

Kjo mbështetje e gjerë nga veteranët dhe organizatat sindikaliste ka rritur moralin e grevistëve, të cilët megjithëse të lodhur dhe të dobësuar, nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ata kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për të garantuar pagesat e prapambetura, sigurimet shoqërore dhe zgjidhjen e statusit të tyre të punës pas viteve të vështira në sektorin e naftës.

Në terren, çdo ditë që kalon e shton tensionin, por edhe qëndrueshmërinë e grevistëve.

Zëri i tyre po shkon përtej kufijve, me organizata ndërkombëtare që tashmë janë vënë në dijeni për situatën në Marinëz.

Megjithatë, heshtja e qeverisë mbetet shqetësuese. Asnjë përfaqësues institucional nuk ka shkuar deri më tani për të dialoguar me grevistët apo për të ofruar një zgjidhje të mundshme.

Në ditën e 13-të të grevës, mes lodhjes, urisë dhe temperaturave të ulëta, fjala që përsëritet më shpesh në kampin e grevistëve është një e vetme:
“Drejtësi.”
Drejtësi për punën e ndershme, për djersën e derdhur ndër vite dhe për të drejtën e jetesës së dinjitetshme që çdo punëtor meriton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button