Dita e 14 e grevës së urisë/ Shëndeti i grevistëve përkeqësohet çdo orë – nga 10 kanë mbetur vetëm 7. (foto e video)

Marinzë – Greva e urisë e naftëtarëve të Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve ka hyrë sot në ditën e 14-të, ndërsa gjendja shëndetësore e pjesëmarrësve po përkeqësohet orë pas ore.
Ajo që nisi si një akt proteste për dinjitet e të drejta pune, po kthehet tashmë në një betejë për mbijetesë.
Nga 10 grevistë që nisën këtë qëndresë, sot kanë mbetur vetëm 7, ndërsa tre të tjerë janë detyruar të ndërpresin grevën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve, Dritan Shaho, tha për mediat se Bledar Danaj është larguar mbrëmjen e djeshme nga tenda e grevës dhe ndodhet aktualisht në spital për kontrolle mjekësore.
“Shëndeti i grevistëve po rëndohet orë pas ore. Kush largohet për arsye shëndetësore nuk zëvendësohet. Kjo do të thotë se, një nga një, ata po sakrifikohen dhe me ta po shuhet gradualisht edhe vetë greva,”
– u shpreh Shaho.
Megjithatë, për grevistët që kanë mbetur brenda ambienteve, vendosmëria është e hekurt. Ata thonë se nuk kanë kthim pas, edhe nëse kjo betejë do t’u kushtojë shtrenjtë.
Njëri prej tyre, Dritan Rrapushi, tregon se qëndresa e tyre është bërë çështje nderi dhe dinjiteti.
“Ne jemi të vendosur deri në fund, deri në vetëflijim nëse duhet. Kush largohet nuk zëvendësohet.
Jemi të mbështetur nga familjet dhe kolegët tanë jashtë.
Kjo është beteja jonë për të drejtat dhe për bukën e ndershme të punës,”
– tha ai me zë të lodhur, por me shpirt të pathyer.



Në krah të tyre është rikthyer edhe ish-grevisti Eduard Selami, i cili pak ditë më parë u detyrua të largohej nga greva për shkak të problemeve shëndetësore.
Ai tashmë ndodhet pranë kolegëve si protestues aktiv, dhe thotë se, ndonëse nuk mund të agjërojë më, nuk do t’i lërë vetëm.
“Kolegët tanë brenda grevës janë në gjendje të vështirë. Përveç përballjes me urinë, ata përballen edhe me trysni nga menaxherët që kërkojnë t’i rikthejnë në punë me forcë, pa plotësuar asnjë nga kushtet tona,” – thekson Selami.




Ndërkohë, përballë këtij realiteti të rëndë, qeveria vijon të qëndrojë në heshtje, pa asnjë reagim apo ndërhyrje për t’i ulur palët në një tavolinë bisedimesh.
“Askush nuk ka ardhur nga Tirana. Asnjë përfaqësues qeverie nuk ka kontaktuar me ne apo me kompaninë.
Kjo tregon një neglizhencë të plotë ndaj jetëve tona,” – shprehen grevistët.
Në oborrin e jashtëm të tendës së grevës, kolege, familjarë dhe banorë të zonës vazhdojnë çdo ditë të me ndjenjë solidariteti, të qëndrojnë me orë të tëra në mbështetje dhe të kërkojnë zgjidhje.
“Këta njerëz po sakrifikojnë jetën për dinjitetin dhe për bukën e fëmijëve të tyre,” – shprehet një prej protestuesve.
Një prej tyre shkon më tej kur thotë se “kompania Bankers më ka marr tokën që e kam me dokumenta, më ka prishur kontratën. Ajo shfrytëzon tokën time dhe nuk më jep asgjë”
Greva e urisë në Marinzë është kthyer tashmë në një simbol të qëndresës së punëtorëve të naftës, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet dhe të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura ndër vite.
Ata thonë se nuk kërkojnë asgjë më shumë se normalizim nivel pagash, sigurimet shoqërore dhe rikthimin në punë me dinjitet, ndërsa shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet përpara se të jetë vonë. /Alb365/ Xhemil Beharaj











