
Nga ALB365 – Deklaratat e Belinda Ballukut për mungesë përçarjeje në Fier duken gjithnjë e më shumë si një përpjekje për të mbuluar një konflikt të thellë politik, që në terren ka dalë hapur dhe pa filtra. Nën sipërfaqen e deklaratave diplomatike, socialistët e Fierit po përballen me një “luftë” të brendshme për kontroll, ndikim dhe pushtet.
E pyetur drejtpërdrejt nga ALB365, Balluku u përpoq të minimizojë situatën duke thënë se me Armando Subashin “ka marrëdhënie shoqërore dhe institucionale” dhe se “nuk ka çarje”. Por zhvillimet në Fier treguan të kundërtën: një ndarje të thellë që nuk fshihet më as me deklarata publike.
Shkarkime dhe presion, ka nisur “pastrimi” i strukturave
Burime brenda Partisë Socialiste në Fier bëjnë me dije se përplasja ka kaluar në fazë konkrete veprimesh. Fillimisht, me vota dhe firma u largua nga drejtimi i këshilltarëve socialistë Evis Sema, një figurë e njohur për mbështetjen ndaj Subashit. Ky zhvillim u pa si sinjali i parë i një operacioni më të gjerë politik.
Më pas, e njëjta skemë u tentua edhe ndaj Antoneta Çunit, ku sipas burimeve janë përdorur presione dhe kërcënime politike për largimin e saj. Në fund, për të shmangur përplasjen direkte, ajo zgjodhi të japë dorëheqjen, duke i hapur rrugë një tjetër emërimi të kontrolluar.
Të dy këta emra konsiderohen pjesë e kampit të Subashit, çka përforcon bindjen se kemi të bëjmë me një “spastrimin” të qëllimshëm të strukturave nga mbështetësit e tij.
Ceno Klosi e braktisi
Deputetini Fierit Ceno Klosi i cili pati një suport fantasrik nga Balluku në fushatën e tij e ka braktisur. Kjo duket qart se pasi ajo nuk e bëri ministër në lëvizjet e fundit në qeveri Klosi nuk duket fare më në Fier, sa fierakët kur i pyet për të thonë, na ka marr malli.
5 Maji nxjerr në pah përplasjen, bojkot dhe ndarje në publik
Kulmi i tensionit u pa në ceremoninë e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Tradita shumëvjeçare e zhvillimit të homazheve në orën 10:00 u thye këtë vit, pasi ceremonia u zhvendos në orën 1130, sipas një orientimi nga strukturat qendrore të përfaqësuara nga Balluku.
Ky ndryshim nuk kaloi pa pasoja. Armando Subashi nuk mori pjesë në homazhe, ai ishte përgatitur për orën 10:00, ndërkohë që sot kur po bëhej gati i thanë për orën11:00. Nuk kishte dieni. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e administratës lokale, e njohur si mbështetëse e tij, e bojkotoi aktivitetin.
Ndërkohë, Evis Sema u shfaq për pak minuta në varrezat e dëshmorëve dhe më pas u largua, një gjest që u interpretua si shenjë e tensionit dhe distancimit të hapur.
Mesazhet e koduara të Ballukut: “Unë kam deputetët, ti je vetëm”
Deklaratat e Ballukut gjatë qëndrimit në Fier u lexuan nga shumëkush si mesazhe të drejtpërdrejta force. Kur ajo theksoi se “jam këtu me deputetët dhe katër nënkryetarët e bashkisë”, sinjali ishte i qartë: kontrolli institucional është në duart e saj.
Në prapaskenë, këto deklarata përkthehen si një paralajmërim ndaj Subashit dhe mbështetësve të tij, duke nënkuptuar izolimin e tyre politik brenda strukturave socialiste.
Një parti, dy kampe – dhe një përplasje që vetëm sa po thellohet
Sot në Fier flitet hapur për dy kampe brenda Partisë Socialiste: një i lidhur me Ballukun, që duket se ka marrë kontrollin e drejtorive dhe strukturave vendore, dhe tjetri me Subashin, që sipas burimeve po dobësohet dita-ditës.
Edhe pse në publik tentohet të ruhet një fasadë uniteti, zhvillimet e fundit – nga shkarkimet, te dorëheqjet dhe bojkotet – tregojnë se përplasja ka hyrë në një fazë të pakthyeshme.
Në qarqet politike lokale, madje flitet dhe nënzë se kjo përballje mund të prodhojë pasoja të forta në vijim, duke e kthyer Fierin në një “vatër të nxehtë” të konfliktit brenda socialistëve.
Një gjë është e qartë: mesazhet e koduara kanë mbaruar. Tani përplasja është reale, e dukshme dhe çdo ditë e më e ashpër.











