AKTUALITETTOP-NEWS

“Gjanica po mbytet nga ndotja – qytetarët akuzojnë institucionet për neglizhencë” (foto e video)

Fier – Lumi Gjanica është sërish në alarm. Ngjyra e tij ka marrë nuancën kafe të errët, ndërsa në sipërfaqe formohet një shtresë e hollë vajore, që lëshon një erë të rëndë, të ngjashme me atë të vezës së prishur. Fenomeni përsëritet çdo vit, sidomos me nisjen e shirave të vjeshtës dhe sezonin e përpunimit të ullirit.

Përgjatë shtratit të lumit, nga Panahori i Mallakastrës e deri në qytetin e Fierit, ndodhen rreth 10 fabrika të përpunimit të vajit të ullirit dhe dy degantime të naftës bruto. Pikërisht këto konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes, që po e kthejnë Gjanicën në një rrjedhë mbetjesh industriale.

Banorët shprehen të indinjuar. Ata thonë se tashmë dihet mirë kush janë ndotësit e lumit, por autoritetet lokale, përfshirë Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, nuk po ndërhyjnë siç duhet.

“Ne e dimë kush e ndot lumin, edhe ata e dinë, por askush nuk vepron” – thonë qytetarët, të cilët kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave.

Fenomeni është kthyer pothuajse në një ngjarje të përjavshme. Ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa urgjente, Gjanica rrezikon të humbasë plotësisht aftësinë e vetëpastrimit dhe të kthehet në një burim rreziku për shëndetin publik.

Banorët e Fierit dhe Mallakastrës kërkojnë që autoritetet të zbresin në terren, të mos mbyllin sytë përballë abuzimeve, dhe të rikthejnë Gjanicën në identitetin e saj të dikurshëm – si simbol i jetës, jo i ndotjes.

Qytetarët kërkojnë që institucionet të mos mbyllin më sytë, por të ndërhyjnë me kontrolle, gjoba dhe ndëshkime konkrete ndaj ndotësve, për të shpëtuar lumin që dikur ishte simbol i jetës, e sot po mbytet nga ndotja./ ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button