OP/ AN

Shqipëria e Komenteve: Hije dhe Urrejtje

Nga Olivia Braho

Në psikanalizë, nënvetëdija shpesh del në sipërfaqe përmes lapsuseve apo veprimeve të vogla. Në shoqëri, del përmes komenteve anonime. Aty ku nuk ka kontroll, ku nuk ka censurë morale, del e vërteta më e errët. Dhe ajo që shohim në komentet e portaleve shqiptare është një nënvetëdije e mbushur me dhunë, urrejtje dhe përbuzje.

Shumë prej këtyre komenteve nuk janë thjesht fjalë boshe. Janë pasqyra të familjeve ku dhuna është normalitet, ku urrejtja për gratë mësohet si gjuhë amtare, ku dashuria kushtëzohet dhe gruaja shihet si objekt. Kur një burrë komenton “e meriton rrahjen” apo “mirë ia bëri”, ky nuk është vetëm opinion. Është rrëfim i një bote të brendshme ku dhuna është i vetmi mjet komunikimi.

Këto komente na tregojnë një shoqëri që jeton me dy fytyra. Njëra është ajo që marketohet jashtë: Shqipëria e re, e hapur, me kulla, me gra të suksesshme në televizione dhe reklama.

Fytyra tjetër është ajo që del në komente: mizogjini e zhveshur, dhunë e legjitimuar, një mllef i akumuluar që shpërthen papritur, si një e huaj e njohur, një “e njohur dhe e frikshme” që ka qenë gjithmonë aty, duke pritur të dalë në dritë dhe të na tmerrojë.

Siç thekson Freud: “Agresioni është një nga instinktet më të forta të nënvetëdijes njerëzore, që shpesh kërkon të shprehet kur ndihen të kufizuar ose të frustruar”. Kjo është pikërisht ajo që lexojmë në komentet e portaleve: projeksione të frustrimeve dhe mllefeve të papërpunuara, që shfaqen pa filtra moral ose social.

Nëse komentet janë pasqyrë, atëherë imazhi i shoqërisë është shumë i errët. Nuk është një shoqëri e emancipuar, por një shoqëri e plagosur, ku trauma e pashëruar e komunizmit, varfëria, dhe patriarkalizmi i trashëguar ndërthuren në një gjuhë që nuk fal. “Nga mbushet goja, aty ka zemra plagë” thotë populli. Dhe nëse goja është e mbushur me urrejtje, imagjinoni çfarë plagësh ka brenda.

Shqipëria nuk është Tirana e fasadave. Nuk është Blloku i ndriçuar me bare. Shqipëria është ajo që lexon në komente, Shqipëria është ajo që flet kur hiqet maska. Dhe kur hiqet maska, ajo që shfaqet është një shoqëri që nuk ka mësuar ende të dojë, por vetëm të urrejë.

Ky është realiteti ynë. Një realitet që nuk duhet injoruar, por që duhet parë drejt e në sy, sepse vetëm atëherë mund të fillojë shërimi. Derisa të ndodhë kjo, komentet e portaleve mbeten jo thjesht “fjalë në internet”, por diagnoza më e saktë e shpirtit tonë kolektiv.

Image

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button